Ish senatori amerikan Kleiborn Pell, i cili vdiq dje në moshën 90-vjeçare, ishte themeluesi i një programi grantesh që ndihmoi miliona të rinj të ndiqnin shkollën e lartë.
Senatori Pell lindi në vitin 1918 në qytetin e Nju Jorkut dhe vinte nga një familje me tradita politike. 5 anëtarë të familjes së tij, duke përfshirë të atin, kanë shërbyer në Kongresin amerikan. Senatori Pell u zgjodh për herë të parë në senat në vitin 1960, qendroi për 6 mandate radhazi dhe u largua në vitin 1997. Ai do të mbahet mend si një politikan që mishëronte idealet më të larta të shërbimit publik.
Senatori Pell ka qenë kryetar i komisionit të punëve të jashtëme të senatit dhe në këtë funksion ai ka treguar interesim të veçantë për Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët. Zoti Pell e filloi karrierën si diplomat dhe e mori emërimin e tij të parë për të shërbyer në Shqipëri në vitin 1946. Por për shkak të politikës së regjimit komunist ndaj Shteteve të Bashkuara, ai nuk u lejua asnjëherë të shkonte atje.
Në vitin 1991, Senatori Pell qendroi 4 ditë në
Shqipëri për të vëzhguar zgjedhjet, në kohën kur regjimi komunist ishte
në rënie. Ai shkoi pastaj në Maqedoni ku u takua mes të tjerash me
udhëheqës të shqiptarëve të Kosovës. Në një raport që hartoi rreth
kësaj vizite senatori Pell përshkroi në mënyrë të mprehtë problemet me
të cilat ndesheshin shqiptarët dhe kërkesat e tyre për shkëputje nga
Beogradi. Në rekomandimet e tij për administratën amerikane, senatori
hidhte idenë që Shtetet e Bashkuara të ngrinin një qendër kulturore në
Prishtinë dhe të mbanin në Kosovë një prani të përhershme. //rd//