Lidhje

Izraeli fuqizon ofensivën në Rripin e Gazës


Luftimet janë intensifikuar në Rripin e Gazës një ditë pasi Izraeli filloi ofensivën e tij tokësore në territorin palestinez. Izraeli ka konfirmuar se një nga ushtarët e tij është vrarë dhe 30 të tjerë janë plagosur, ndërsa zyrtarët e shëndetësisë në Gaza thonë se më shumë se 500 palestinezë janë vrarë gjatë nëntë ditëve të sulmeve ajrore izraelite. Një zyrtar i Hamasit thotë se grupi islamik planifikon të dërgojë një delegacion në Egjipt të hënën në përgjigje të një ftese egjiptiane për të zhvilluar bisedime. Izraeli ka thënë se do t’i vazhdojë sulmet deri sa të arrihet një zgjidhje që do të sigurojë një paqe afatgjatë dhe t’i japë fund sulmeve me raketa përtej kufirit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Sonja Pejs njofton nga Jeruzalemi.

Forcat izraelite vazhduan luftën kundër militantëve palestinezë në disa pjesë të Rripit të Gazës ndërkohë që trupat dhe tanket zinin pozicionet e tyre, dhe aeroplanët e luftës dhe anijet luftarake vazhdonin bombardimin. Shumica e operacioneve dukej se ishin përqendruar në pjesën veriore të Gazës, mes njoftimeve se trupat izraelite kishin rrethuar qytetin e Gazës, kishin pozicionuar tanket në ish vendbanimin izraelit të Nezarimit dhe kishin ndarë territorin në dy pjesë mes veriut dhe jugut.

Ushtria izraelite tha se aeroplanët e saj të luftës kishin vënë në shenjestër mbi 15 pika gjatë ditës, duke përfshirë vende nga ku hidheshin raketa, persona të armatosur, tunele kontrabande dhe disa militantë të Hamasit.

Në qytetin e Gazës, gazetari palestinez Muhamed Davas kalon pjesën më të madhe të ditës duke kërkuar ushqim, duke kontrolluar apartamentin e tij dhe pastaj duke iu bashkuar familjes së tij tek shtëpia e vjehrrit në një cep të qytetit të Gazës, ku ata mendojnë se mund të jetë vend më i sigurt për të qëndruar.

“Dëgjohen bomba. Ne ulemi dhe rrimë së bashku gjithë natën. Jemi shumë njerëz në një dhomë sepse është më mirë sesa të jesh vetëm. Është shumë e vështirë. Nuk kemi energji elektrike, nuk kemi asgjë, as gaz dhe as ujë. Është një çmenduri e vërtetë.”

Zyrtarët e ndihmave vazhdojnë të paralajmërojnë për mundësinë e një krize humanitare në Gazë, ndërkohë që zyrtarët e shëndetësisë thonë se numri i viktimave po rritet, kryesisht mes civilëve.

Zëdhënësi i qeverisë izraelite Mark Regev thotë se operacioni ushtarak nuk po zhvillohet kundër popullit të Gazës, por kundër militantëve të Hamasit të cilët kërcënojnë Izraelin jugor.

“Synimi ynë i vetëm ushtarak është të ruajmë popullsinë në Izraelin jugor, në mënyrë që ata një milion njerëz të mos sulmohen vazhdimisht nga raketat e Hamasit.”

Izraeli thotë se nuk kishte zgjidhje tjetër përveç se të zhvillonte një operacion ushtarak pasi bisedimet me Hamasin për zgjatjen e një armëpushimi dështuan në dhjetor dhe militantët intensifikuan sulmet me raketa kundër Izraelit jugor. Militantët hodhën më shumë se 30 raketa në Izraelin jugor gjatë ditës së djeshme.

Izraeli i filloi sulmet e tij ajrore më shumë se para një jave duke goditur pika që kishin lidhje me Hamasin dhe infrastrukturën e tij në Gaza. Por Hamasi vazhdon të mos tërhiqet, duke paralajmëruar se do ta kthejë Gazën në një varrezë për izraelitët. Presidenti palestinez Mahmud Abas e ka quajtur ofensivën izraelite një agresion mizor.

Sipas shifrave të ofruara nga zyrtarët e shëndetësisë në Gaza, numri i palestinezëve të vrarë gjatë nëntë ditë operacionesh ushtarake izraelite ka arritur tani në 500, ndërsa numri i të plagosurve në mbi një mijë veta. //bsa//

XS
SM
MD
LG