Lidhje

Ekonomistët bëjnë thirrje për masa të tjera qeveritare


Ekspertët e këshilluan Kongresin të martën se ekonomia amerikane e goditur nga reçesioni ka nevojë për një stimul të madh për të shmangur shifra më të dobëta papunësie dhe ndikime të tjera gjatë muajve dhe viteve të ardhshme. Këshillat e fundit u parashtruan mes komenteve të fundit mbi ekonominë të Presidentit të zgjedhur Barak Obama dhe lajmeve ekonomike dekurajuese.

Paralajmërimet e bëra gjatë një forumi të Kongresit mbi të ardhmen e ekonomisë të organizuar nga demokratët në Kongres ishin shumë të qarta. Mark Zandi, krye-ekonomist i faqes informative elektronike Moody’s Economy.com e quajti recesionin të rëndë me ndikime të gjera në të gjithë vendin. Masat e qeverisë për të rritur sasinë e parave më treg, tha zoti Zandi, kanë ndikim të kufizuar, duke bërë thirje për rritjen e shpenzimeve dhe shkurtim të taksave.

“Na nevojitet një paketë domethënëse stimujsh. Mendoj se një paketë prej 750-800 miliard dollarësh do të ishte me vend po të mendonim se si do të ishte bota pa të.”

Zoti Zandi thotë se qeveria federale duhet të trajtojë reformën e falimentimit dhe hapat për parandalimin e mospagimit të kredive të shtëpive. Robert Reich, ish sekretar i punës në administratën e presidentit Klinton, mbështet një paketë edhe më të madhe në shumën e 900 miliard dollarëve.

“Nëse nuk do të miratohet një paketë me atë shumë, vitin e ardhshëm ne do të humbim edhe 3 milion vende pune të tjera, papunësia do të arrijë në 10 përqind dhe numri i njerëzve që do të mund të gjejnë punë vetëm me gjysëm orari do të arrijë në 15 përqind.”

Udhëheqësit demokratë në Kongres dhe ekipi i presidentit të zgjedhur Barak Obama vazhdojnë të diskutojnë hollësitë e planit të tyre stimulues për ekonominë.

“Tani e dimë se po përballemi me një krizë në ekonominë tonë. Ne duhet të veprojmë menjëherë me vendosmëri për krijimin e vendeve të reja të punës të cilat krijojnë bazën për rritjen e mëtejshme të ekonomisë,” tha zoti Obama.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nensi Pelosi bëri përsëri thirrje që të merren masa sa më parë. “Është shumë e qartë se ne duhet të veprojmë tani. Nëse nuk veprojmë, kjo do të shkaktojë humbje të tjera të vendeve të punës dhe më shumë probleme ekonomike për amerikanët.”

Pakica republikane ofroi komente të disa ekonomistëve të tjerë të cilët shprehnin skepticizëm nëse shpenzimet e qeverisë do të ishin efikase. “Duhet të kemi kujdes në balancimin e nevojave të ekonomisë sonë sot me sasinë e borxhit që po u lemë fëmijëve tanë dhe pasardhësve të tyre,” tha udhëheqësi i republikanëve në dhomën e përfaqësuesve Xhon Boner.

Udhëheqësi i shumicës në kongres Steni Hojer u tha gazetarëve dje se sapo të përfundojë hartimi i paketës së stimujve, ajo do të kalojë përmes disa seancave shqyrtimi para se të merret në konsideratë nga e gjithë dhoma e përfaqësuesve. //ad//

XS
SM
MD
LG