Lidhje

Evropa Lindore dhe Ballkani në mëshirën e motit


Evropa Lindore dhe Ballkani po përballen me mungesa në furnizime pasi Moska mbylli tubacionet që furnizojnë Evropën. Evropianët po kalojnë një dimër mjaft të vështirë dhe të paktën 12 vetë kanë gjetur vdekjen nga temperaturat e ulëta:

Miliona hungarezë dhe evropiano-lindorë të tjerë që përdorin gaz natyror për të gatuar dhe për ngrohje janë të shqetësuar në këto moment. Furnizimi me gaz i Evropës përmes Ukrainës u ndërpre të mërkurën. Kryeministri rus Vladimir Putin e mori këtë vendim pasi u informua se Ukraina po vidhte gazin që kishte si destinacion Evropën, për të komensuar reduktimet që përjetoi pasi Rusia i bllokoi tubacionet në vijim të një mosmarrëveshjeje për çmimin.

Gjatë bisedimeve të enjten zyrtarët e të dyja vendeve shprehën gatishmërinë për të rifilluar furnizimin me gaz për Evropën dhe deklaruan se do të pranojnë vëzhgues për të kontrolluar vëllimin e gazit, por nuk shprehën shumë optimizëm për zgjidhjen e shkakut të mosmarrëveshjes.

Ky fakt shqetëson vende si Hungaria, që janë tepër të varura tek furnizimet ruse për nevojat energjetike. Firma dhe fabrika të mëdha kanë marrë urdhër të përdorin më pak gaz, në kuadrin e shqetësimeve se rezervat mund të shterrojnë, shpjegon Ministri hungarez i Energjisë Csaba Molnar. Ai thotë se qeveria po e ndjek me vëmendje gjendjen dhe negociatat ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë. Po sipas zotit Molnar, nëse ka mungesa në furnizimin me gaz, Hungaria mund të detyrohet t’u japë urdhër konsumatorëve të mëdhenj si kompanive dhe fabrikave të pezullojnë prodhimin.

Pakësimi i vëllimit të gazit bëhet në një kohë vështirësish për kompanitë evropiane të prekura nga kriza më e rëndë ekonomike në disa dekada. Fabrika e përpunimit të mishit “Kometa 99” në qytetin hungarez Kaposvar ndodhet rreth 190 kilometra larg Budapestit. Zëvendës drejtori i saj Tibor Hollosty thotë se në këto rrethana, procesi i përpunimit të mishit do të ngadalësohet. Zoti Hollosty thotë se fabrika ende ka rezerva gazi, pra prodhimi nuk do të ndërpritet plotësisht. Por që tani po shqyrtohet mundësia e reduktimit të numrit të derrave që theren si dhe pakësimi i veprimtarive të tjera të biznesit.

Mijëra banorë hungarezë pranë qytetit Komlo, dikur një qytet-minator, po vuajnë tani jo vetëm pasojat e recesionit dhe të mbylljes së minierave, por edhe mungesat e furnizimit me gaz. Pensionisti Imre Deak është një ndër banorët që i trembet mundësisë së ndërprerjes së ngrohjes në apartamentet e vjetëruara të qytetit. Ai thotë se është zgjuar një ditë në mëngjes dhe apartamenti ishte më i ftohtë se zakonisht. Kaldaja që përdoret për ngrohjen e mjedisit ndezet me vështirësi, thotë ai, pasi nuk ka sasi të mjaftueshme gazi.

Megjithë vështirësitë, kryeministri hungarez Ferenc Gyurskani thotë se vendi i tij do të përpiqet t’i shesë 2 milionë kub gaz natyror çdo ditë Serbisë, e cila nuk ka furnizime të mjaftueshme dhe është goditur nga një acar i fuqishëm. Në provincën veriore serbe të Vojvodinës, ku jeton një komunitet i konsiderueshëm hungarez, mijëra vetë nuk kanë ngrohje të rregullt në banesa, në një mot shumë të ftohtë.

Edhe vende të tjera të Evropës Lindore dhe Ballkanit po përballen me situata të ngjashme. Në Bullgari dhjetëra shkolla janë mbyllur si rezultat i temperaturave nën zero. Në Bosnje, sipas autoriteteve mijëra vetë e kaluan natën e mëparshme pa ngrohje. Mbi 12 vetë kanë vdekur nga moti i ftohtë në Evropën Lindore, kryesisht në Poloni dhe Rumani.

Zëdhënësi Radek Honzak i Republikës Çeke presidente e radhës e Bashkimit Evropian, thotë se blloku po e ndjek me vëmendje situatën:

“Ky është një problem serioz. Duhet të gjejmë një zgjidhje pa vonesë. Ose, më mirë të themi, të dyja palët e mosmarrëveshjes duhet të gjejnë një zgjidhje dhe të rifillojnë menjëherë furnizimin me gaz të Bashkimit Evropian në përputhje me marrëveshjet ekzistuese.”

Cilido qoftë rezultati i negociatave, asgjë nuk do ta ndryshojë fatin e dhjetëra mijëra personave të pastrehë në Evropën Lindore, përfshirë punonjësit e fabrikave të mbyllura, të cilët kanë mbetur pa shtëpi. Ata duket se i janë dorëzuar fatit të jetësës në kushte të rënda dimri. //ad//
XS
SM
MD
LG