Lidhje

Afrikanët presin  betimin e Barak Obamës si president i SHBA


Në Afrikë, si kudo në botë njerëzit i kanë sytë tek ceremonia e inaugurimit të Barak Obamës si president i Shteteve të Bashkuara më 20 janar. Por interesi për zotin Obama në kontinentin afrikan ka qënë edhe më i madh për arsye të origjinës së tij.

Miliona afrikanë, si shumë amerikanë e gdhinë natën e zgjedhjeve duke festuar zgjedhjen e Barak Obamës si president të Shteteve të Bashkuara.

Veronik Tadjo, profesore në Universitetin Vitvatersrand të Johanesburgut thotë se ky ishte një moment emocionues për shumë njerëz me origjinë afrikane.

"Zoti Obama ka sjellë shpresë dhe ka ndryshuar shumë në mënyrën sesi njerëzit e shohin veten. Një afrikano-amerikan që bëhet njeriu më me pushtet në botë, është diçka e madhe”- thotë ajo.

Por disa paralajmërojnë se nga mandati presidencial i zotit Obama nuk duhen pritur mrekulli. Francis Korngei nga Instituti për Studimet Politike i Johanesburgut thotë se nga ky president, veçanërisht në Afrikë, priten shumë gjëra.

"Ka shumë eufori me fitoren e zgjedhjeve presidenciale dhe ekziston ndjenja se ai do t’i japë shumë rëndësi kontinentit afrikan. Por realiteti është më i vështirë. Luftrat në Irak dhe Afganistan, konflikti në Lindjen e Mesme, stuhitë politike në Pakistan do të vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes amerikane”, thotë ai.

Sipas zotit Korngei nuk ka shumë mundësi që Afrika të jetë në krye të listës së shqetësimeve amerikane ndonëse në këtë kontinent ekzistojnë disa probleme të mëdha sigurie.

Ai thotë se ka nevojë për ide të reja mbi krizën në Somali e cila pas dy dekadash si shtet ku nuk ka sunduar ligji dhe ku janë hedhur miliona dollarë ndihma është pranë marrjes nën kontroll nga militantët islamikë. Darfuri, Kongoja lindore, Zimbabveja janë po kështu vende që kërkojnë vëmendje.

Veronik Tadjo thotë se ajo shpreson që administrata e zotit Obama do të mbajë një qëndrim të fortë ndaj udhëheqësve afrikanë që abuzojnë me pushtetin dhe me popujt e tyre.

"Problemi ynë kryesor është qeverisja dhe udhëheqja e keqe, ndaj nuk mund të bëhet asgjë derisa këto dy faktorë të ndryshojnë. Në Afrikë ka vende që kanë shumë pasuri natyrore, por aty nuk ka ndonjë ndryshim pozitiv. Ndaj qeverisja e mirë është elementi më jetik.”

Por zonja Tadjo i frikësohet faktit se rreth zotit Obama ka tepër optimizëm dhe nga ai pritet shumë edhe pasi shumë në Afrikë mendojnë se origjina e tij afrikane do të zgjidhë problemet e tyre.

"Do të jetë një mandat i vështirë presidencial, disa të bardhë do të presin dështimin e tij ndërsa disa afrikano-amerikanë do ta shohin atë me dyshim”.

Por shumë afrikanë vazhdojnë të shpresojnë që zoti Obama për arsye të origjinës së tij do të veprojë si urë lidhëse mes racave, kulturave dhe popujve dhe se ai do të dëgjojë më shumë e do të sjellë më shumë balancë në marëdhëniet mes Afrikës dhe Shteteve të Bashkuara.//mm//

XS
SM
MD
LG