Lidhje

Sfidat e transferimit të pushtetit, me ndërrimin e administratave


Kriza që vazhdon në Gazë rithekson faktin se Barak Obama e merr zyrën e Presidentit amerikan në kohë të vështira. Qofshin luftrat në Irak dhe Afganistan apo paqëndrueshmëria në Pakistan, e deri tek ambicjet bërthamore të Iranit dhe Koresë së Veriut, zoti Obama do të trashëgojë një mori vatrash të nxehta që kërkojnë vëmendjen e Shteteve të Bashkuara. Si zoti Obama edhe Presidenti Bush janë zotuar që ta realizojnë me sukses këtë procesgjatë tranzicionit të parë të pushtetit që pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit.

Presidenti Bush po lë pas luftra në Irak dhe Afganistan dhe betejën globale kundër terrorizmit.

Natën e zgjedhjeve, Barak Obama theksoi nevojën për t’u përballur me kundërshtarët e Amerikës dhe për të ruajtur sigurinë kombëtare:

“Të gjithë ju që doni ta shkatërroni botën, ju themi se do t’ju mposhtim. Të gjithë ju që kërkoni paqe dhe siguri, ne ju mbështesim.”

Presidenti Bush është zotuar për një transferim pushteti pa probleme.

“Puna për të garantuar një tranzicion pa probleme është përparësia e ditëve që i mbeten presidencës sime.”

Zyrtarët e administratës së Presidentit Bush thonë se e kanë informuar ekipin e sigurimit kombëtar të zotit Obama mbi aspektet e operacioneve amerikane në mbrojtje, zbulim dhe diplomaci. Këtu përfshihen raporte të hollësishme mbi zonat e konfliktit, planet alternative dhe opsionet në rast e shpërthen një krizë ndërkombëtare gjatë muajve të parë të Presidencës së zotit Obama.

Këshilltari aktual për Sigurinë Kombëtare Stiven Hedli thotë se është me vend që të bëhen përpjekje të pashembullta për tranzicionin e parë të pushtetit që kryhen në kohë lufte që prej 4 dekadash:

“Çështjet që i konsideruam të rëndësishme në një tranzicion të kësaj natyre ishin informatat sa më të hollësishme për administratën e ardhshme mbi mjetet që ka në dorë: çfarë politikash po zbatohen dhe çfarë marrëdhëniesh ekzistojnë; t’u shpjegojme se cilat i konsiderojmë ne si sfida me të cilat administrata e ardhshme do të përballet shumë shpejt.”

Por ka analistë që shohin në këto përpjekje një motiv tjetër. Anthony Cordesman është analist për sigurinë kombëtare pranë Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare:

“Çdo administratë përpiqet të informojë ekipin e tranzicionit. Kjo nuk bëhet thjesht nga shpirtmadhësia. Ekipi aktual synon të garantojë një farë vazhdimësie të politikave që janë ndjekur.”

Ekipi i Presidentit të ardhshëm Obama ka interes t’i dëgjojë këshillat, thotë zoti Cordesman, por nuk është i detyruar t’i ndjekë ato.

Gjatë fushatës së vitit 2008, zoti Obama kritikonte vazhdimisht Presidentin Bush, veçanërisht për çështje që lidhen me sigurinë kombëtare. Vetë Presidenti e pat thënë qartë se e konsideronte Senatorin Mekein si kandidat më të mirë dhe më me përvojë për rolin e Komandantit të Përgjithshëm.

Zyrtarët e administratës së Presidentit Bush nuk kanë lënë ndonjëherë të kuptohet se po të kishte fituar zoti Mekein, sesionet e informimit nuk do të ishin aq të hollësishme. Ata vetë e kanë të qartë se po i lënë pas zotit Obama shumë probleme të pazgjidhura dhe duan të sigurohen se presidenti i ardhshëm do të ketë të gjithë informacionin e nevojshëm.

Ekipi i sigurisë kombëtare i zotit Obama nuk ka bërë komente publike. Por disa demokratë me ndikim, si Tomas Meklarti, ish-Shef i Personelit të Shtëpisë së Bardhë, kanë folur me tone pozitive për tranzicionin:

“Në këtë moment në jetën e vendit, ka rëndësi kritike nga pikëpamja e sigurisë që të realizohet një tranzicion i rregullt. Mendoj se kjo po realizohet dhe biles në një mënyrë shumë profesionale dhe të aftë.”

Më 20 janar Presidenti i zgjedhur Barak Obama merr detyrën duke u bërë njëkohësisht Komandant i Përgjithshëm. //ad//

XS
SM
MD
LG