Lidhje

Vështirësitë ekonomike për presidentin e zgjedhur Obama


Një valë e re punëtorësh amerikanë e kanë filluar vitin e ri duke aplikuar për përfitime si pasojë e papunësisë. Numri i amerikanëve, që kërkojnë përfitime të tilla për herë të parë u ngrit me 11 për qind. Departamenti amerikan i Punës njoftoi se 524 mijë amerikanë aplikuan javën e kaluar për sigurime nga papunësia, ndërkohë që numri i amerikanëve të papunë vazhdon të jetë në nivelin më të lartë në 26 vjet.

Të mërkurën pati njoftime të reja negative rreth ekonomisë amerikane. Departamenti amerikan i Tregtisë njoftoi se aktiviteti i sektorit të shitjeve me pakicë shënoi në dhjetor një rënie të ndjeshme prej 2,7 për qind, më shumë se dyfishi i parashkuar. Analistët thonë se rënia e shpenzimeve të konsumatorëve është një faktor i rëndësishëm që u shtohet sfidave serioze ekonomike, me të cilat përballet presidenti i zgjedhur Barak Obama kur të bëjë betimin javën e ardhshme si presidenti i 44 i Shteteve të Bashkuara.

Ekspertët e financave thonë se amerikanët po përballen me krizën më të rëndë ekonomike që prej Depresionit të Madh, fakt që presidenti i zgjedhur Obama nuk e ka harruar.

“Ne e fillojmë vitin 2009 në mes të një krize që nuk e kemi parë në jetën tonë”.

Që kur fitoi në zgjedhjet e nëntorit, zoti Obama është detyruar të përballet me statistikat më negative në ekonomi, si papunësia e lartë apo mundësia e dështimit të industrisë së automobilëve. Analisti Thomas Man në Institutin Brookings në Uashington thotë se për presidentin e ri ekzistojnë sfida të vështira.

“Ne nuk kemi parë një gjendje të tillë me probleme kaq të shumta financiare dhe me vazhdimin e problemeve në fushën e kredive dhe me një recesion që po thellohet gjithnjë e më shumë”.

Aftësitë udhëheqëse të zotit Obama po vihen tashmë në provë, ndërsa përpiqet ta bindë Kongresin të miratojë gjysmën e dytë të paketës së ndihmave financiare prej 700 miliardë dollarësh.

Faz Shakir është drejtor i sektorit kërkimor në Qendrën për Përparimin Amerikan, e cila ndodhet këtu në Uashington.

“Kemi të bëjmë me një situatë shumë të veçantë sepse zoti Obama po mer presidencën kur recesioni është gati në kulmin e tij”.

Megjithë vështirësitë, analisti Thomas Man thotë se zoti Obama do të ketë një farë kapitali për të manovruar.

“Magnituda e vështirësive dhe problemeve me të cilat ai përballet barazohen me vullnetin e mirë të amerikanëve karshi tij dhe zgjedhjes së tij. Pra zoti Obama ka tani mundësinë që të shfrytëzojë optimizmin, në mos besimin, që ai ka fituar nga zgjedhje e tij dhe periudha e tranzicionit”.

Analistët thonë se presidenti i zgjedhur përballet me një dilemë, ndërsa përpiqet të rimëkëmbë ekonominë, atij i duhet të mos harrojë premtimet që bëri gjatë fushatës për çështje po aq të rëndësishme, si politika e klimës dhe reforma e kujdesit shëndetësor. Disa analistë thonë se kjo është një provë vendimtare që në fund të fundit mund të përcaktojë nëse administrata e zotit Obama do të jetë në gjendje të fitojë një mandat të dytë. (ze)

XS
SM
MD
LG