Lidhje

Arritjet dhe dështimet e presidencës Bush në politikën e jashtme


Mandati tetëvjeçar i presidentit Bush ka qënë një ndër më të vështirët në historinë moderne amerikane. 11 shtatori, Iraku dhe Afganistani kanë gjasa të mbeten gjatë në kujtesën amerikane dhe atë botërore.

Ja disa prej sfidave ndërkombëtare me të cilat është përballur gjatë këtyre tetë vjetëve zoti Bush dhe disa prej arritjeve dhe dështimeve të tij në politikën e jashtme.

Presidenti Bush nisi mandatin e tij presidencial tetë vite më parë duke menduar se do të kishte një presidencë të qetë në politikën e jashtme dhe se fokusi i mandatit të tij do të ishin Kina, India, dhe tregtia e lirë.

Por ngjarjet e 11 shtatorit ndryshuan 360 gradë objektivat e sigurisë kombëtare dhe politikave të jashtme të administratës Bush. Terrorizmi do të bëhej termi më i lakuar nga krerët e qeverisë amerikane dhe politikat e reja të presidentit Bush do të ndikonin fuqishëm në marëdhëniet e Uashingtonit me botën.

Presidenti dhe kabineti i tij i sigurisë kombëtare kanë bërë bilancin e tetë vjetëve në diplomacinë ndërkombëtare duke folur me nota pozitive për arritjet e këtyre viteve ndërsa ekspertë, analistë, gazetarë e politikanë të opozitës kanë renditur siç i kanë quajtur ata dështime të administratës.

Eksperti Majkëll O' Hanlon në institutin Brukings në Uashington thotë se presidenti Bush nuk ka pasur një mandat të lehtë ndaj dhe çështjet politike nuk duhen parë në një kontekst të ngushtë. Kështu në Azinë juglindore politika ndaj Indisë konsiderohet më se e suksesshme, por lufta në Afganistan nuk ka shkuar aspak mirë. Pakistani, siç kanë thënë njohës të diplomacisë, përfshin sot të gjithë elementet e një migrene ndërkombëtare. Koreja e Veriut nuk ka përparuar aspak gjatë viteve të administratës Bush dhe sipas disave e ka katërfishuar arsenalin bërthamor gjatë tetë vjetëve të fundit.

“Marëdhëniet me Kinën dhe Japoninë kanë qënë të mira, ndërsa me Indinë kanë qënë prej vitesh më të mirat, tregtia me vendet aziatike është rritur ndjeshëm. Duhet thënë se në zonën e Azi Paqësorit gjithçka ka shkuar mirë”, thotë zoti O' Hanlon.

Por zoti O' Hanlon thekson se pjesa tjetër e botës, veçanërisht Lindja e Mesme, Bashkimi Evropian, dhe Rusia ofrojnë një pasqyrë negative. Ai thotë se zoti Bush duhet të kishte përfituar më shumë nga mbështetja e madhe e popullit amerikan dhe qeverive botërore pas 11 shtatorit për të ndryshuar botën.

“Pas 11 shtatorit ai mund ta kishte çuar vendin dhe botën në një drejtim të ri politik, mund të kishte krijuar nisma të mëdha ekonomike në rang ndërkombëtar apo të kishte sjellë risi në botën islame. Në atë kohë duhet të ishte folur me Iranin. Po kështu zoti Bush duhet t’i kishte dhënë rëndësi jetike konfliktit izraelito-palestinez”.


Sipas analistëve, përkeqësimi i konfliktit në Lindjen e Mesme lë një shije akoma më të keqe mbi politikat e zotit Bush. Por, në institutin American Enterprise në Uashington, zëvendëspresidentja për politikat e jashtme dhe mbrojtjen Daniel Pletka thotë se përparimi në Irak është i pamohueshëm.

“25 milionë irakianë jetojnë sot në liri, ata kanë më shumë siguri, Sadam Huseini nuk është më atje dhe asnjë nuk mund ta mohojë sesa e rëndësishme do të jetë liria për këtë pjesë të botës”, thotë ajo.

Ndërsa Amerika Latine dhe Amerika e Jugut kanë sjellë si dështime dhe suksese për administratën e zotit Bush. Disa vende në këtë pjesë të botës kanë ndjekur politikat anti-amerikane nën drejtimin e presidentit venezuelian Ugo Çavez, por Kolumbia ka bërë përparim të madh në luftën kundër trafikut të drogës kurse Brazili tanimë është shndërruar në një fuqi konstruktive rajonale dhe i është afruar edhe më shumë vendimmarrjes ndërkombëtare.

Politologët, liberalë, të pavarur e konservatorë vënë re se Afrika do të jetë një sukses i pamohueshëm për zotin Bush. Në vitin 2003, presidenti i dha jetë një programi për të ndihmuar në luftën kundër sidës në këtë kontinent porgram që i erdhi në ndihmë rreth 10 milionë vetëve. Gazetari Ken Ualsh nga agjencia e lajmeve “US News And World Report”:

"Ndihma për Afrikën në luftën kundër Sidas dhe virusit HIV ka qënë sukses i madh dhe zoti Bush nuk është vlerësuar sa duhet për këtë”.

Por, ekspertja Pletka thotë se edhe në Afrikë mund të ishte bërë më shumë në luftën kundër terrorizmit.

“Është pozitiv fakti që zoti Bush ka krijuar një komandë të re ushtarake që do të merret vetëm me Afrikën, por gjatë kësaj kohe ekstremizmi islamik është shtuar në vende si Somalia, Etiopia, Eritrea dhe Algjeria”, thotë ajo.

Ballkani, ndonëse asnjëherë në qendër të vëmendjes së presidentit Bush konsumoi një pjesë të konsiderueshme në mandatin e tij të dytë. Bisedimet mbi statusin e Kosovës, shpallja e njëanshme e pavarësisë së saj si dhe zgjerimi i NATOs kërkuan përfshirjen aktive dhe shpesh drejtimin amerikan në bisedimet ndërkombëtare. Politikat në Ballkan po kështu nxitën debat të konsiderueshëm mes ekspertëve.

“Zgjerimi i NATOs nuk ishte politika e duhur. Ky zgjerim nuk zgjidhi problemet e sigurisë, përkundrazi i shtoi ato”, thotë zoti O’ Hanlon.

Ndërsa ish ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara gjatë administratës së presidentit Bush, Xhon Bollton thotë se presidenti nuk ushtroi një politikë të vetën mbi Ballkanin.

“Ngjarjet në Ballkan i referohen një harku të gjerë kohor. Pozita amerikane nën drejtimin e zotit Bush ishte kryesisht në vazhdimësi të politikave të mëparshme të zotit Klinton për Ballkanin”.

Zonja Pletka vlerëson faktin se Evropa fitoi më shumë siguri nga politikat e zotit Bush, dhe siç thotë ajo, ndonëse politikat e Ballkanit pasuan ato të paraardhësit të tij Klinton, zoti Bush do të mbahet mend për qëndrimin e tij në mbrojtje të demokracive të reja në Evropë.

Presidenti i zgjedhur Obama do të shpërngulet në Shtëpinë e Bardhë pas vetëm pak ditësh. Ai do të gjejë aty një mal me sfida në fushën e politikës së jashtme që do shërbejnë si testi i vërtetë për suksesin e mandatit të tij. Një gjë duket e sigurt; Ballkani kësaj here do të jetë larg listës së prioriteteve amerikane në politikën e jashtme.//ek

XS
SM
MD
LG