Lidhje

Inaugurimi presidencial, një ritual ceremonial historik


Barak Obama do të bëjë inaugurimin si Presidenti i 44 i Shteteve të Bashkuara të martën, më 20 janar, duke vazhduar traditën e transferimit paqësor nga një udhëheqës tek një tjetër, që filloi me inaugurimin e parë të Xhorxh Washingtonit, më 1789. Por këtë herë inaugurimi presidencial ka një domethënie të veçantë. Kolegia jonë Laura Konda ka përgatitur një kronikë, që na njeh me disa prej inaugurimeve presidenciale, përse ato janë simbole të rëndësishme të demokracisë amerikane dhe përse këtë herë inaugurimi presidencial ka një domethënie të veçantë.

Inaugurimi Presidencial në SHBA e ka zanafillën në vitin 1789, kur bëri betimin Presidenti i Parë amerikan, Xhorxh Uashington. Ky është një ritual ceremonial me tre elemente, që fillon me betimin e Presidentit, me dorën mbi Bibël, vazhdon me fjalimin që përmban idetë baze, që do ta udhëheqin administratën e re dhe përfundon me ballon e inaugurimit. Këtë herë inaugurimi presidencial është historik, sepse Barak Obama është i pari President afrikano-amerikan në SHBA dhe ashtu sikurse Xhon Kenedi, ai përfaqëson një gjeneratë të re, një fillim të ri dhe një ndryshim për Amerikën.

Inaugurimi Presidencial është një moment historik për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas Amendamentit 20 të Kushtetës, duke filluar që nga viti 1930, në mesditën e 20 janarit fillon zyrtarisht nga puna siPresident, personi i cili zgjidhet më 4 nëntor përmes zgjedhjeve të lira e të drejta, post ky më i larti në administratën amerikane. Procesi i inagurimit shënon transferimin paqësor të pushtetit nga një administratë në tjetrën. Këtë vit, ai sjell në të njëjtën kohë, kalimin e pushtetit nga Partia Republikane në atë Demokrate.

Ish-punonjesi i Bibliotekës së Kongresit, historiani Marvin Kranz, thotë se kalimi i pushtetit në SHBA është zhvilluar kurdoherë pa probleme.

“Asnjëherë nuk është bere ndonjë perpjekje uzurpimi nga ana e personit, apo partisë që ka humbur zgjedhjet. Të gjithë e pranojnë kundërshtarin....Madje gjate ceremonisë qëndrojnë pranë tij më podium", -thotë historiani.

Betimi i Presidentit, prej 35 fjalesh, është i shkruar në Kushtetutën amerikane.

Allen Lichtman, profesor i historisë në Universitetin Amerikan të Washingtonit, thotë se duke shënuar fillimin e një mandati presidencial, inaugurimi është një mundësi që i jepet presidentit të ri, për të shpalosur idetë dhe politikat që do të udhëheqin presidencën e tij.

“Inaugurimet janë një dite e shënuar, sepse ato janë rituali më i rëndësishëm politik, për të kuptuar më mirë edhe përparësitë që do të ketë Presidenti i ri i vendit,”-thotë profesori.

Shumë nga fjalimet presidenciale kanë hyrë në histori. Mbahet mend përshembull, Xhorxh Washingtoni, të cilit më 1789 i kishin përgatitur një fjalim 70 faqesh, që ai e hodhi poshtë, duke thënë një fjalim prej një paragrafi; po ashtu kujtohet fjalimi i Presidentit Ulisses Grant, në vitin 1865, pas përfundimit të Luftes Civile, kur ai tha “Let us have peace, - Le të bëjmë paqe”; Abraham Linkolni, fjalimet e të cilit në të dy inaugurimet, njihen si kryevepra të prozës së gjuhës angleze. Kujtojmë këtu thënien e famshme të Linkolnit "Me keqdashje ndaj askujt, me mirësi ndaj te gjitheve”. Mbahet mend thënia e Franklin Roosveltit në fjalimin e tijnë kulmin e Depresionit të Madh, në vitet 1930, “E vetmja gjë nga e cila duhet të frikësohemi është vetë frika”.

Njerëzit të mbledhur rreth radios dëgjonin atë ditë fjalimin frymëzues të presidentit Ruzvelt, duke shpresuar për rimëkëmbjen e shpejtë të ekonomisë së vendit.

I paharruar mbetet fjalimi frymëzues i Xhon Kenedit:

“...Pishtari po kalon tek një gjeneratë e re amerikanësh, të lindur në shekullin e 20-të”.

Ai bëri thirrje për pjesëmarrjen dhe sakrificat e popullit amerikan për të mirën e përbashkët, duke ju drejtuar popullit amerikan me frazën e famshme që hyri në mendjen dhe zemrat e njerëzve: “Mos pyesni se çfarë mund të bëjë vendi për ju, por çfarë do të bëni ju për vendin.”

Po ashtu mbahet mend thenia e Ronald Reganit, se “qeveria nuk është zgjidhja, por problemi”. Në fjalimin e tij me tone lirike, Bill Klintoni, përmes figurave të fuqishme letrare theksoi rolin e demokracisë amerikane në botë.

Barak Obama do ta bëjë betimin duke vënë dorën mbi Biblën e Abraham Linkolnit. Kjo zgjedhje e tij është simbolike. Është një homazh që ai i bën Linkolnit si udhëheqës, por në të njëjtën kohë tregon se Barak Obama e sheh Presidentin Linkoln si një model, të cilin ai dëshiron ta ndjekë.

Historiani Marwin Kranz thotë se prania e Bibles gjatë betimit nuk është e domosdoshme, por një traditë e trashëguar që nga Xhorxh Washingtoni, të cilën e kanë ndjekur shumë presidentë.

“Me marrjen e Biblës së Linkolnit, mendoj se Obama po përpiqet të ndjekë hapat e Linkolnit. Linkolni vinte nga shteti i Ilionoit, ashtu sikurse Obama, pra duket qartë se ai do të thotë se do të ndjekë shembullin e Linkolnit”, -thotë historiani.

Megjithëse fjalimet e Presidentëve janë të larmishme, sipas tematikës që ata dëshirojnë të zgjedhin, ato kanë edhe elemente të përbashkëta.

Ja si shprehet historiani Allen Lichtman:

“Mesazhi i përbashkët që presidentët i kanë dhënë amerikanëve, është që vendi është i fortë, dhe që do të jetë në duar të sigurta. Në fjalimet e tyre presidentët nuk japin hollësi të politikave të tyre, por idetë bazë që do të udhëheqin administratën e ardhshme”.

Historianët Kranz dhe Lichtman, janë të një mendimi, se ardhja e Barak Obamës në Shtëpinë e Bardhë ka nje domethënie të rëndësishme historike. Vete Shtepia e Bardhe është ndërtuar nga skllevërit. Raca ka qenë një plagë e shoqërisë amerikane. Vetëm në vitet 1960 u miratuan ligje që lejonin afrikano-amerikanët të merrnin pjesë plotësisht në jetën politike të vendit.

Historiani Lichtman thotë se Barak Obama, si i pari afrikano-amerikan, erdhi në Shtepine e Bardhë shumë më shpejt nga sa mendohej.

Barak Obama e zhvilloi fushatën si President i të gjithë amerikanëve dhe premtoi ndryshime kur vendi është në krizë të thellë ekonomike dhe kur 90 për qind e amerikanëve janë të shqetësuar për të ardhmen e vendit.

Amerikanet kerkojne ndryshim dhe besojne se atë do ta sjellë Barak Obama.

XS
SM
MD
LG