Lidhje

Shtetet e Bashkuara kujtojnë Martin Luter Kingun



Më 19 janar, amerikanët do të kujtojnë dhe festojnë trashëgiminë e udhëheqësit të vrarë të të drejtave civile, të përndershmit Dr. Martin Luther King i Riu me një festë vjetore me rastin e datëlindjes së tij, që është më 15 janar. I përndershmi King do të kishte mbushur 80 vjeç. Para më shumë se 50 vjetësh, Dr. Kingu organizoi një lëvizje në gjithë Shtetet e Bashkuara, duke u vënë në krye të marshimeve dhe demonstratave pa dhunë për të drejta të barabarta për afrikano-amerikanët. Në materialin në vazhdim bëhet fjalë për jetën e tij dhe ndikimin që ka pasur puna e tij në Shtetet e Bashkuara.

“Sot dua t’i them popullit të Amerikës dhe vendeve të botës se ne kemi filluar një lëvizje dhe asnjë valë racizmi nuk mund të na ndalë”.

Martin Luther King i Riu filloi veprimtarinë e tij si udhëheqës i të drejtave civile në vitin 1955 kur u vu në krye të lëvizjes për eliminimin e dallimit racial në autobuzët publikë në qytetin Montgomeri të shtetit Alabama.

“Ne negrit e Montgomerit jemi angazhuar në një protestë pa dhunë kundër padrejtësive, që kemi përjetuar në autobuzë për një numër vitesh”.

Në gusht të vitit 1963, fushata e të përndershmit King për të drejta të barabarta ishte shndëruar në një lëvizje kombëtare. Atë muaj më shumë se 250 mijë njerëz morën pjesë në një marshim në Uashington. I udhëhequr nga Dr. Kingu, ky marshim kishte për qëllim t’u bënte presion ligjvënësve që të miratonin një ligj për të drejtat civile që do t’i jepte fund diskriminimit racial. Ish aktivisti i të drejtave civile, Roger Wilkins, ishte atë ditë këtu në Uashington kur marshuesit u mblodhën përpara memorialit të Linkolnit.

“Ishte një ditë e bukur dhe e ngrohtë vere dhe njerëzit ishin të rinuar. Ekzistonte një ndjenjë e mirë se vendi po bashkohej. Për herë të parë në jetën time ndjeva peshën e ndërgjegjes së Amerikës”.

“Ëndërroj që një ditë katër fëmijët e mi të vegjël do të jetojnë në një vend ku nuk do të gjykohen nga ngjyra e lëkurës, por nga karakteri”.

Ishin pikërisht këto protesta pa dhunë dhe fjalimet e tij që çuan përpara lëvizjen për të drejtat civile dhe mbajtën të përqëndruar vemendjen e vendit në çështjen e barazisë.

Dr. Kingu fitoi çmimin Nobel të Paqes në vitin 1964. Po atë vit Presidenti Lyndon Johnson nënshkroi ligjin e të drejtave civile dhe një vit më vonë ligjin e së drejtës për të votuar. Këto ligje jashtëligjësuan ndarjen raciale në objektet publike si dhe praktikat diskriminuese, që i ndalonin zezakët të votonin.

“Lexoj diku se madhështia e Amerikës është e drejta që të protestosh për të drejta”.

Fushatën e tij të fundit Martin Luther Kingu e zhvilloi në Memphis të shtetit Tennessee në mars dhe prill të vitit 1968. Ai udhëhoqi një marshim në mbështetje të punëtorëve të shërbimit sanitar. Por protesta u përfshi nga dhuna kur ekstremistë të rinj filluan të plaçkisnin dyqane. Dr. Kingun e shqetësoi shumë kjo gjendje dhe u zotua të kthehej në Memphis për të kryesuar një marshim paqësor. Natën e 4 prillit 1968 ai u vra në hotelin Lorraine.

“Unë kam parë tokën e premtuar. Unë mund të mos arrij atje me ju, por dua që ta dini se si popull ne do të arrijmë në tokën e premtuar”.

Pas 40 vjetësh, jeta e Dr. Kingut përkujtohet dhe festohet me shumë ëndëra të tij të bëra realitet, përfshirë edhe zgjedhjen e Barak Obamës si presidenti i parë afrikano-amerikan i Shteteve të Bashkuara.//rd//

XS
SM
MD
LG