Lidhje

Presidenti Obama dhe marrëdhëniet e tij me Kongresin


Në ceremoninë e tij të betimit, presidenti Obama u bëri thirrje amerikanëve t’u japin fund atyre që i quajti “politika bajate” me qëllim që vendi të ecë përpara. Në Kapitol Hill, prej dekadash, lufta politike është rregulli i përgjithshëm, megjithë thirrjet e njëpasnjëshme të presidentëve për një bashkëpunim dypartiak.

Gjatë fushatës për presidencën, Barak Obama ka folur shpesh mbi nevojën për një stil të ri politik, një thirrje që ai e shprehu përsëri në fjalimin e tij inagurues.

“Ne jemi duke shpallur fundin e zënkave të vogla dhe premtimeve fallco, akuzave të ndërsjellta dhe dogmave të vjetëruara që aq shumë e kanë dëmtuar politikët tonë.”

Prej dekadash, shumë presidentë e kanë filluar mandatin e tyre me angazhimin për ta rritur nivelin e bashkëpunimit mes dy krahëve. Disa kanë qenë më të suksesshëm nga të tjerët në këte drejtim.

Xhorxh W. Bush filloi detyrën në vitin 2000 duke u angazhuar për një rol bashkues, jo përçarës. Por shumë vëzhgues politikë e pranojnë se ai u largua nga posti më 20 janar 2009 pa e realizuar një gjë të tillë.

Forca e fitores së presidentit Obama në zgjedhjet e fundit të nëntorit si dhe afrimi i tij me republikanët para inagurimit të tij, mund të ndihmoj në zbutjen e pengesave për programin e tij në Kongresin amerikan.

Udhëheqësi republikan në Dhomën e Përfaqësuesve, John Boehner, duket se po shikon për të hedhur bazat e bashkëpunimit, duke thënë në një deklaratë të martën se republikanët “po përpiqen të gjejnë një terren të përbashkët me presidentin për të zgjidhur krizën ekonomike në Shtetet e Bashkuara përveç problemeve të tjera.

Në fjalën e tij inaguruese, presidenti Obama iu referua gjithashtu asaj që ai e quajti një zhvendosje të terrenit politik duke u shprehur me fjalët “zënka të një politike bajate që na kanë konsumuar për shumë kohë por që nuk do të zbatohen më.”

Detyra e tij në muajt dhe vitet që vijnë do të jetë të përforcojë këtë gjë me këmbëngulje dhe respekt.

Duke ngritur dolli në një drekë me anëtarët e Kongresit, presidenti i ri tha se amerikanët që folën me votën e tyre në nëntor presin nga presidenti i tyre dhe përfaqësuesit të punojnë së bashku.

"Populli amerikan është krijuar prej racash, besimesh fetare dhe rangjesh të ndryshme. Tash ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë. Tani na takon ne, përfaqësuesve të popullit, të bëjmë gjithçka duhet për t’iu përkushtuar çështjes së lirisë, drejtësisë, njerëzisë e dinjitetit dhe Dhoma jonë duhet të shprehë atë që populli amerikan ka më për zemër."

Forcimi i shumicës demokrate në Dhomë dhe Senat dhe presioni mbi ligjvënësit që të merren vesh në mënyre efektive për krizën ekonomike, nuk ka dyshim që ndihmon presidentin Barack Obama të realizojë objektivat e brendshme dhe ato të politikës së jashtme përmes Kongresit.

Kontribut mund të luajnë edhe lidhjet e shumta në Kongres të shefit të tij të kabinetit, ish përfaqësuesi i Ilinoit Rahm Emanuel si dhe ndikimi i ish-anëtarëve të tjerë të Kongresit që i kanë shërbyer presidentit Obama dhe zvendës presidentit Xhozef Bajden.

Anëtarë të rëndësishëm të administratës së re të presidentit Obama nuk kanë humbur kohën për të filluar punën për atë që shihet si legjislacioni më me rëndësi i Kongresit ndër dekada, ai për rimëkëmbjen ekonomike.

Demokratët do të donin që ky ligj të miratohej deri në mes të muajit shkurt. Por presidenti Obama ka një punë të vështirë para tij për të zbutur shqetësimet e republikanëve për vlerën prej 825 miliardë dollarësh të kësaj mase.

Gjithashtu, muajt që do të vijnë do të jenë edhe më të ngarkuar me punë në çështje të tilla si reforma për rregullimin sistemit financiar. Kalimi me sukses i këtyre pengesave të fillimit do të jenë një provë për aftësinë e presidentit Obama për të kapërcyer ndasitë politike në Kongres. //ii

XS
SM
MD
LG