Lidhje

Kirstin Xhilibrend emërohet senatore e shtetit të Nju Jorkut


Guvernatori i shtetit të Nju Jorkut emëroi anëtaren e kongresit Kirstin Xhilibrend për postin në senat të lënë të hapur nga sekretarja e shtetit, Hillari Klinton.

Guvernatori Dejvid Paterson u tha gazetarëve sot se për të ishte një privilegj dhe nder që të emëronte zonjën Xhilibrend, demokrate e zgjedhur për herë të dytë, për të zënë vendin në senat. Ai e cilësoi atë si personin më të mirë për atë punë dhe e vlerësoi atë për punën e saj në çështjet buxhetore dhe të kujdesit shëndetsor.

Emërimi i zonjës Xhilibrend ishte diçka e papritur duke pasur parasysh kandidatët e tjerë më të njohur për atë post. Një nga kandidatët kryesorë, Karolajn Kenedi, njoftoi pardje se nuk ishte e interesuar për këtë pozitë. Vajza e ish presidentit të vrarë Xhon F. Kenedi tha se e kishte marrë këtë vendim për arsye personale.

Një tjetër kandidat kryesor për këtë post ishte edhe prokurori i përgjithshëm i shtetit, Andrju Kuomo.

Hillari Klinton dha dorëheqjen nga posti i saj pasi u zgjodh nga presidenti Barak Obama për të shërbyer si diplomatja më e lartë në administratën e tij. //rd//

XS
SM
MD
LG