Lidhje

Ekonomistët: Dalja nga recesioni varet nga tregu i shtëpive


Çmimet e shtëpive në Shtetet e Bashkuara ranë në vitin 2008 për të dytin vit me radhë dhe rënia vazhdon ende. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Barry Wood, ekonomistët besojnë se ekonomia nuk do të dalë nga recesioni, deri sa çmimi i shtëpive të bjerë në nivelin më të ulët dhe pastaj të rifillojë përsëri ngritja.

Profesori i ekonomisë pranë Insitutit "Carnegie Mellon", Alan Meltzer, është i një mendimi me Presidentin Obama dhe këshilltarët e tij kryesorë se rimëkëmbja e ekonomisë nuk do të fillojë, pa u stabilizuar çmimet e shtëpive. Duke folur në një forum që u mbajt dje në Washington, zoti Meltzer tha se shkurtimi i taksave duhet të përdoret si një masë për stimulimin e tregut të shtëpive.

"Le të japim një përfitim nga taksat, për t’i lejuar njerëzit ta shpenzojnë për shumën e nevojshme për të blerë një shtëpi, në se ata blejnë një shtëpi ekzistuese, por le ta bëjmë këtë vetëm vitin e ardhshëm", - tha ai.

Çmimet masatare të shtëpive në Shtetet e Bashkuara ranë me rreth 9 për qind vitin e kaluar. Në pjesën më të madhe kjo ndodhi për shkak të një numri rekord njerëzish që nuk ishin në gjendje të shlyenin pagesën mujore ndaj bankës, apo të rimarrjes nga bankat të pronësisë së shtëpive, të cilat blerësit nuk ishin më në gjendje t’i paguanin. Vitin e kaluar pati 2,3 milionë shtëpi që u morën në pronësi nga bankat, ngaqë pronarët nuk ishin në gjendje të shlyenin pagesën mujore për kredinë bankare.

Administrata e zotit Obama po përgatit ligjin për të stimuluar si ekonominë në përgjithësi, por edhe për t’u ardhur në ndihmë pronarëve të shtëpive që këcënohen nga marrja e shtëpisë nga banka. Edhe propozimi i zotit Melzer për shkurtimin e taksës është duke u shqyrtuar.

Eswar Prasad, profesor në Universitetin "Cornell", gjithashtu studjues në Institutin "Brookings", tha se administrata e re përballet me një sfidë të vështirë, sepse ajo nga njëra anë duhet të stimulojë ekonominë, dhe në anën tjetër të shmangë shpenzimet e tepruara që mund të shkaktojnë inflacion në të ardhmen.

"Nuk ka dyshim që kjo administratë do të ndeshet me sfidën ekonomike. Por ne nuk mund të fokusohemi shumë në afat të mesëm, sepse ne fillimisht duhet ta nxjerrim veten nga recesioni i thellë, para se të rimëkëmbim sistemin financiar dhe ekonominë,"- tha profesori.

Diskutantët në forumin e organizuar nga Insituti amerikan Enterprize, e kundërshtuan idenë e injektimit të fondeve të reja qeveritare në sistemin bankar të përfshirë nga kriza. Ka patur shqetësim të madh lidhur me deficitin e mundshëm buxhetor, që këtë vit do ta kalojë shifrën e një trilion dollarëve. Duke patur parasysh thellësinë e recesionit që filloi në dhjetor të 2007-ës, administrata e zotit Obama po propozon një fond për shpenzimet qeveritare të emergjencës, që mund të kapë shifrën e deri 850 miliardë dollarëve.//lk

XS
SM
MD
LG