Lidhje

Obama përpiqet të qetësojë skeptikët për ekonominë


Presidenti Barak Obama po përpiqet të sigurojë publikun se plani gjigand për stimulimin e ekonomisë nuk do t'i zgjidhë problemet duke hedhur para në erë, por duke investuar në programe të efektshme për rigjallërimin ekonomik.

Gjatë fjalimit të tij të parë të përjavshëm në radio si president, zoti Obama tha se ai e kupton se përse disa njerëz nuk kanë shumë besim tek përmasat e paketës 825 milardë dollarëshe.

Zoti Obama paralajmëroi se nëse nuk veprohet menjëherë, papunësia mund ta kalojë 10 përqindshin. Presidenti Obama tha në fjalim se të dyja partitë në Kongres vazhdojnë punën për përmirësimin e paketës financiare, që zoti Obama shpreson ta firmosë si ligj brenda një muaji.

Presidenti thotë se paketa do të shpëtojë ose krijojë tre deri në katër milionë vende të reja pune dhe me paratë e saj do të investohet në fusha të rëndësishme për vendin si krijimi i formave altenative të energjisë, reforma në shëndetësi, përmirësimi i arsimit dhe rindërtimi i infrastrukturë.

Ekonomia, demokratët dhe republikanët

Edhe pse nuk ka mospajtime mes anëtarëve të Kongresit rreth nevojës për të miratuar me shpejtësi planin për stimulim ekonomik, pakica republikane e kanë bërë të qartë se ata do të bëjnë përpjekje të mëdha për të siguruar që plani i tyre të merret në konsideratë.

Dje, duke folur në një takim para përfaqësuesve demokratë dhe republikanë në Kongres, Presidenti Obama tha se ai e kupton, se të veprosh me shpejtësi për një ligj që ka të bëjë me një vlerë kaq të madhë është shumë e vështirë për të dy palët në Kongres.

“E kam të qartë se ende ka disa dallime mes administratës dhe anëtarëve të Kongresit rreth disa detajeve të veçanta të planit”,- tha ai.

Nisma me vlerën prej 825 miliardë dollarësh ka për qëllim të mbështesë shpenzimet në sektorin e transportit, shëndetësisë dhe të energjisë, duke përfshirë edhe shpenzime për projekte të tjera. Kjo nismë po ashtu parasheh shkurtimin e taksave në vlerën prej 275 miliardë dollarë.

Plani alternativ i republikanëve përqendrohet në shkurtimin e taksave për individët dhe bizneset e vogla, me kushtin që taksat të mos ngrihen në të ardhmen për të paguar për shpenzimet e tanishme. Udhëheqësi i pakicës së republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, republikani John Boehner, e cilësoi takimin me presidentin Obama si të frytshëm. Por, ai theksoi disa shqetësime të tij:

“Mund të gjesh plot probleme në ligjin e propozuar nga demokratët, që nuk kanë aspak të bëjnë me shtimin e vendeve të punës në Amerikë dhe me përpjekjet për të ndihmuar Amerikanët që të mos humbasin vendet e tyre të punës”.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nanci Pellozi, iu kundërpërgjigj kritikave të repubulikanëve, se demokratët po mundohen ta miratojnë ligjin me shpjetësi, pa marrë në konsideratë pikëpamjet e pakicës në Kongres:

“Ndërsa ne kemi prirje për bashkëpunim të plotë me republikanët, amerikanët janë në një gjendje të dëshpëruar. Ata presin dhe kërkojnë nga ne që të veprojmë sa më shpejt, për të lehtësuar krizën ekonomike, të cilën ata po e përjetojnë brenda familjeve të tyre”,- tha zonja Pellozi.

Deri në ç’masë do të jetë bashkëpunimit ndërpartiak i nivelti të tanishëm, do të bëhet më e qartë javën e ardhshme, kur republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve të takohen veçmas me Presidentin Obama.Ligji për ekonominë ka mundësi të miratohet lehtë në Dhomën e Përfaqësuesve, ku demokratët kanë 256 vende ndërsa republikanët kanë 178.

Në Senat, sipas procedurave, nevojitën 60 vota për miratimin e ligjit. Senatorët demokratët do të bëjnë përpjekje për të fituar votat e një numri të mjaftueshëm senatorësh republikanë, në mënyrë që ky ligj ketë një miratim të fortë ndërpartiak.

Dallimet mes versionit të ligjit të miratuar në Dhomën e Përfaqësuesve dhe atij të miratuar në Senat do të duhte të zgjidhen më pas nga ligjëvënësit në një konferencë. Demokratët dhe Republikanët duan t’ia dorëzojnë presidentit Obama ligjin për nënshkrim nga mesi i muajit të ardhshëm.//lk

XS
SM
MD
LG