Lidhje

Qeveria shqiptare i përmbahet qëndrimit për ligjin e dosjeve, megjithë presionin e BE


Në Shqipëri përfaqësues të trojkës evropiane, ambasadorja e Çekisë, vendi i së cilës ka presidencën e radhës, përfaqësuesja e Suedisë vendi i cili do të pasojë kryesimin e BE-së dhe kreu i delegacionit të Komisionit Evropian u takuan me zëvendëskryeministrin Genc Pollo për të shprehur shqetësim mbi ligjin e dosjeve, i cili sipas tyre ngre probleme jo vetëm në procedura por edhe përmbajtje. Në përfundim të takimit sipas një komunikate për shtyp qeveria ka mbajtur të njejtin qëndrim duke premtuar vetëm një zbatim të paanshëm të ligjit.

As përpjekja e trojkës evropiane nuk ka bërë që qeveria shqiptare të lëvizë nga pozicioni i saj për ligjin e pastërtisë së figurave të miratuar dhjetorin e kaluar vetëm me votat e shumicës. Qëndrimi kritik i vendeve të Bashkimit Evropian pasonte deklaratat e forta të Shteteve të Bashkuara, OSBE-së dhe Këshillit të Evropës, në të cilat ngriheshin pikëpyetje serioze mbi këtë ligj.

Përfaqësuesit e trojkës evropiane në Tiranë në një deklaratë që i parapriu takimit me zëvendës kryeministrin Genc Pollo shpreheshin se “ligji për pastëritinë e Figurave ngre shqetësime në lidhje me disa aspekte si mbi procedurën ashtu dhe mbi përmbajtjen”.

Në njoftim saktësohej se Bashkimi Evropian i kushtonte një rëndësi të madhe dialogut politik përgjatë spektrit politik dhe se ky është një nga kriteret politike me rëndësi thelbësore për pranimin në Bashkimin Evropian”.

Një tjetër çështje që trojka nënvizonte ishte se Brukseli, “i kushton një rëndësi të madhe një gjyqësori mirëfunksionues dhe politikisht të pavarur”.

Këtij qëndrimi i ka bërë jehonë edhe ambasadori i OSBE-së në Tiranë Robert Bosh në një intervistë për Zërin e Amerikës ku ai shprehet se “i bën thirrje qeverisë shqiptare të reflektojë seriozisht mbi komentet e bëra në deklaratën e Bashkimit Evropian”. Ai shton se “një ligj për pastërtinë e figurave duhet të bazohet te shteti ligjor, respektimi i pavarësisë së gjyqësorit, përfshirë këtu edhe Gjykatën ushtetuese dhe se duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë dhe në respektim të plotë të standarteve ndërkombëtare”.

Por qeveria shqiptare i është përmbajtur qëndrimit të saj të pandryshueshëm. Në takimin me zëvendëskryeministrin Genc Pollo, ky i fundit ka përsëritur se “qeveria garanton një zbatim korrekt e të paanshëm të ligjit e se çdo person i prekur nga zbatimi i tij ka mundësinë e ankimimit në të tre shkallët e gjyqësorit dhe se vetëm pas shprehjes së gjyqësorit këto vendime marrin formë të prerë”. Zoti Pollo i ka bërë thirrje opozitës që të bëhet pjesë e procesit duke caktuar anëtarët e vet në autoritetin e kontrollit të figurës pasi kjo sipas tij “është jo vetëm detyrë ligjore e saj por edhe përgjegjësi pubike që do kontribuonte në besueshmërinë e procesit”.

Por opozita është e vendosur ta kundërshtojë këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese . Këtë e konfirmoi edhe kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ndërsa komentoi deklaratën e Bashkimit EVropian, të cilën ai e cilësoi si “sinjalin më shqetësues të mundshëm”. Zoti Rama e vlerësoi qëndrimin e trojkës evropiane si “shansin e fundit që Europa i jep Sali Berishës dhe një mazhorance të papërgjegjshme, përpara sesa faturën e sjelljeve antidemokratike e marrëziv antikushtetuese të kryeministrit – sipas tij – ta paguajë Shqipëria me shtyrjen pa afat të kërkesës për të marrë statusin e vendit kandidat” për anëtarë në Bashkimin Evropian. //ad//

XS
SM
MD
LG