Lidhje

Forumi Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, pjesëmarrje rekord


Një numër rekord udhëheqësish botërore, këshilltarësh ekonomikë dhe zyrtarë të lartë biznesi po e përqëndrojnë vemendjen tek kriza financiare në Forumin Ekonomik Botëror, që po zhvillohet në Davos të Zvicrës.

Forumi filloi sot në vendpushimin e skive në Alpe dhe do të vazhdojë deri më 1 shkurt. Kryeministri rus Vladimir Putin mbajti fjalimin e hapjes së punimeve.

Themeluesi dhe kryetari i forumit, Klaus Shuab, tha se kriza financiare është e pashembullt. Ai tha se kjo krizë duhet parë si një kushtrim për të reformuar institucionet dhe sistemet globale si dhe mënyrën e të menduarit.

Në takimin e këtij viti marrin pjesë një numër rekord prej 41 kryetarë shtetesh dhe qeverish, duke përfshirë edhe kryeministrin e Kinës, Uen Gjibao dhe kryeministrin e Kenias, Raila Odinga.

Në takim do të marrin pjesë edhe anëtarë të administratës së presidentit të ri amerikan, Barak Obama, mes tyre edhe këshilltari për çështjet e sigurimit kombëtar, Gjenerali Xhejms Xhons.

Më shumë se 2 mijë e 500 veta nga 96 vende do të marrin pjesë në forum, objektivi kryesor i të cilëve do të jetë gjetja e mënyrave për stabilizimin dhe ripërtëritjen e ekonomisë globale. (ze)

XS
SM
MD
LG