Lidhje

Investitori legjendar Uorren Bafet optimist për të ardhmen


Njeriu më i pasur i botës, investitori legjendar Warren Buffett, i tha korrespondentit të Zërit të Amerikës, Barry Wood, se megjithë krizën e thellë financiare dhe ekonomike, ai beson se aksionet e kompanive amerikane janë me leverdi dhe se ai është optimist për të ardhmen afatgjatë.

Warren Buffet nuk është një manjat i zakonshëm. Dy vjet më parë ai njoftoi se do t’ja jepte pjesën më të madhe të pasurisë së tij, mbi 30 miliardë dollarë, Fondacionit Bill dhe Melinda Gates, që financon projektet e edukimit dhe të shëndetësisë në botën në zhvillim. Në biznes, Buffet është gjithashtu i pazakontë. Ai mbetet një investitor me synime afatgjata.

"Kurrë nuk i parashikoj aksionet apo biznesin duke u nisur se çfarë do të bëjë një kompani muajin apo vitin e ardhshëm, pasi nuk e di".

78 vjeçari nga Nebraska flet thjesht. Për shembull, kur bursa bie, zbatica i zbulon investitorët mashtrues dhe i nxjerr ata lakuriq. Ai përmend menaxherin e Uoll Stritit Bernard Madoff i akuzuar për një nga skemat piramidale më të mëdha në botë.

"Njerëzit nuk janë shumë të vëmendshëm kur tregu është mirë, të gjithë janë të kënaqur. Tani shohim se kemi patur një plazh nudo në Uoll Street dhe gjetkë".

I ndodhur këto ditë në Uashington për takime të korporatës, Buffet nuk është penduar për blerjet e aksioneve tre muaj më parë kur ato kushtonin shumë më tepër se sa sot. Ai thotë se sekreti i suksesit është të mos kesh frikë kur investitorët janë lakmitarë dhe lakmitarë kur të tjerët kanë frikë.

"Të tjerët kanë frikë. Dhe do të kenë frikë për një apo dy vjet të tjera".

Megjithëse pranon se nuk po ndodh asgjë pozitive në ekonominë amerikane, ai mbetet optimist për të ardhmen afatgjatë. Më pak se një vit më parë, Buffett i zuri vendin mikut të tij, gjeniut të kompjuterave Bill Gates si njeriu më i pasur i botës. Si ndjehet në këto pozita?

"Nuk më ka ndryshuar aspak jetën. Sigurisht që mund të blej çfarë të dua. Kam një aeroplan, që ma bën jetën më të lehtë. Por po ta heqësh atë, unë ndoshta jetojë si gjithkush tjetër që fiton ndoshta 150 mijë dollarë në vit".

Gati 10 vjet më parë, Buffett njoftoi se tre fëmijët e tij do të trashëgojnë vetëm një pjesë të vogël të pasurisë së tij.

"Nuk shoh ndonjë arsye përse dikujt që i qëllon fati të dalë nga veza e duhur të mos bëjë asgjë për 50 vjetët e ardhshëm".

Buffett jeton në qytetin Omaha të Nebraskës në shtëpinë që e ka blerë para katër dekadash. //iç//
XS
SM
MD
LG