Lidhje

SHBA: Superbowl do të tërheqë miliona para ekraneve


Kampionati Kombëtar i Ligës Amerikane që zhvillohet sonte në Shtetet e Bashkuara, i njohur si Superbowl-i, do të tërheqë një numër jashtëzakonisht të madh telespektatorësh, më tepër se 100 milionë shikues në SHBA. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës nga Tampa e Floridës, miliona të tjerë do ta shohin ndeshjen e 43-të të SuperBowl-it në mbarë botën.

Rreth 61 kanale ndërkombëtare do të transmetojnë drejtpërdrejt ndeshjen e Superbowlit në 230 vende dhe territore të botës. 14 vende, mes tyre, Belgjika, Brazili, Britania, Kanadaja, Kina, Danimarka, Franca, Gjermania, Hungaria, Italia, Japonia, Meksika, Rusia dhe Spanja, do të kenë korrespondentët e tyre në Stadiumin Raymon James, për transmetimin dhe komentimin e ndeshjes mes ekipit Steelers të Pitsburgut dhe Kardinalët të Arizonës.

Liga Kombëtare e Futbollit do të ketë një transmetim direkt në radio në gjuhën angleze në 141 vende të botës, dhe do të ketë variante të përkthyera në 33 gjuhë të ndryshme, (mes tyre edhe shqip, arabisht, gjuhën boshnjake, dialekte të kinezçes, kroatisht, frengjisht, gjermanisht, greqisht, hungarisht, etj...).

Liga Kombëtare e Futbollit do të ketë një transmetim edhe në gjuhën spanjolle, në kushtet kur kohët e fundit komuniteti i hispanikëve në SHBA ka ardhur duke u rritur. Kjo do të realizohet nga punonjësi i Radios Univision, Rafael Hernandez.

"Që prej 12 vjetësh, duke marrë shkas nga komuniteti i madh spanjoll që jeton në SHBA, ne kemi filluar të transmetojmë Superbowlin në spanjisht,"- tha ai.

Veç transmetimeve në fushë të hapur, shikuesit e televizioneve me pagesë nga 119 vende të botës, do ta shohin Superbowlin në rrjetin kabllor të sportit, ESPN.//lk



XS
SM
MD
LG