Lidhje

Teknologjia në ndihmë të vendeve të varfëra


Edhe kur kriza e ushqimit nuk zë kryetitujt e gazetave, vendet më të varfëra të botës gjithsesi vuajnë nga mungesa e ushqimit më shumë se të gjithë. Megjithatë, teknologjia e avancuar në qiell mund të ndihmojë edhe në tokë.

Duke mbledhur të dhënat mbi klimën, bimësinë dhe lagështinë, satelitët tokësorë të vëzhgimit të Agjencisë Evropiane të hapësirës, krijojnë një ide më të mirë të kushteve që ndikojnë tek të korrat dhe kullosat. Të dy këta janë përbërës qenësor të prodhimit bujqësor.

I shtrirë në një lartësi prej më shumë se dy mijë metrash ndodhet kryeqyteti etiopian Adis Abeba, qendra operacionale e Organizatës së OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) për të gjithë Afrikën Lindore. Mafa Çipeta është koordinatori nën-rajonal për FAO-n në Afrikën e Jugut.

“Etiopia është vend shumë i madh, është vendi i dytë më i madh në Afrikë. Të dhënat satelitore kanë ndihmuar në rritjen e prodhimit të drithërave në Etiopi për të paktën katër vjet me radhë”.

Por prodhimi është i ndjeshëm dhe nëse mungojnë shirat e gjithë rajoni vuan pasojat. Që nga viti 1986, çmimi i ushqimeve kryesore është rritur me 56% në vendet më të varfëra.Kafshët janë mes burimeve kryesore ushqimore për popullsinë. Imazhet satelitore mund të ndihmojnë për gjetjen e kullosave edhe nga fundi i stinës së thatë.

Informacioni për motin është i rëndësishëm gjithashtu. Më parë, nomadët duhet të mbështeteshin tek përvoja e tyre për të mbijetuar në këtë mjedis ngjanjëherë të rrezikshëm, por tani, të dhënat meteorologjike nga satelitët mund të ndihmojnë në parashikimin e kushteve.

Evropa po kontribuon me satelitin ENVISAT të Agjencisë Evropiane të Hapësirës. Në qendrën e Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë në Romë, ata përdorin të dhëna satelitore për të ndjekur bimësinë dhe motin drejtpërdrejt.

Kjo u jep shkencëtarëve një mjet të vlefshëm parashikues deri në një farë mase dhe një sistem të paralajmërimit të hershëm.

Sateliti ENVISAT bën fotografi të bimësisë globale çdo dy-tre ditë. Me anë të këtyre imazheve krijohen harta. Dhe duke krahasuar hartat, shkencëtarët mund të studiojnë zhvillimin e bimësisë, lagështisë dhe klimës. Këto të dhëna mund të përdoren pastaj për të krijuar modele për parashikime më të sakta. //iç//

XS
SM
MD
LG