Lidhje

Në Senatin amerikan fillon debati për paketën stimuluese


Senati amerikan ka filluar të debatojë për paketën e stimulimit të ekonomisë, ndërsa anëtarë të pakicës republikane vazhdojnë të bëjnë thirrje për ndyshime në këtë plan për të cilin Presidenti Obama ka thënë se është kritik për të zgjidhur krizën ekonomike.

Republikanët vazhdojnë ta kundërshtojnë paketën në versionin e saj të tanishëm.

Para se Senati të merrte versionin e ri të paketës, udhëheqësi i pakicës republikane, Miç Mekonëll, e kishte bërë të qartë pikpamjen republikane, pra se projektligji që miratua nga Dhoma e Përfaqësuesve javën e kaluar ka nevojë për ndryshime.

Ky projektligj nuk u mori asnjë votë të republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, të cilët kanë shprehur shqetësimet e tyre rreth efikasitetit të paketës që parashikon investimin e rreth 820 miliardë dollarëve në sektore të ndryshme të ekonomisë. Një version i paketës i paraqitur në Senat parashikon 890 miliardë dollarë.

Senatori republikan, Miç Mekonëll, nënvizoi dy çështje në të cilat janë përqendruar republikanët.

“Unë kam sugjeruar se cilat objektiva të paketës duhen rishikuar dhe ndryshuar. Së pari, të përmirësojmë çështjen e strehimit, të ulim taksat për njerëzit me të ardhura mesatare dhe të ulëta, çka do t’u jepte njerëzve para në dorë menjëherë.”

I pyetur në se republikanët janë të gatshëm të rrisin çmimin e paketës për të përfshirë propozimet e tyre, zoti Mekonëll tha se në se do të veprohej ashtu, atëherë paketa do të ishte edhe më pak tërheqëse.

Disa deklarata që bënë dje në Senat demokratët dhe republikanët pasqyruan dallimet e tyre rreth projektligjit për paketën e stimulimit.

Presidenti dhe shumica demokrate synojnë që plani të miratohet në mes të shkurtit. Paketa e stimulimit parashikon shkurtimin e taksave për miliona amerikanë, rritjen e shpenzimeve për një numër të madh programesh të politikës së brendshme dhe do të jepte miliarda dollarë shteteve amerikane të cilat po vuajnë efektet e recesionit ekonomik.

Senatori Mekonëll tha se ligjëvënësit republikanë mund të pranojnë vetëm një paketë e cila është “krejt ndryshe” nga ajo e miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve ose nga versioni që po debatohet tani në Senat. Projektligji mund të hidhet në votë nga fundi i kësaj jave. //ii

XS
SM
MD
LG