Lidhje

Kryeministri Berisha në Uashington për Mëngjesin e Lutjeve


Në vazhdim të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara, Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha u takua sot me nënsekretarin e Mbrojtjes, Gordon England dhe ish Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Donald Ramsfeld. Kryeministri Berisha pati gjithashtu takime edhe me grupin Kohen. Dje në ditën e tij të parë të vizitës në Uashington, zoti Berisha u takua me kongresmenin, Eliot Engel, dhe Senatorin Tom Kobërn. Gjatë kësaj vizite Kryeministri Berisha do të marrë pjesë në Mëngjesin Kombëtar të Lutjeve në Uashington, një forum që mbahet çdo vit në muajin shkurt dhe që grumbullon udhëheqës nga e gjithë bota si një rast për t'u njohur dhe për të vendosur marrëdhënie mes tyre.





Zoti Berisha e bëri vizitën e parë në zyrën e anëtarit të Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin amerikan, Eliot Engel, një personalitet që interesohet mjaft për çështjet e Kosovës dhe të Shqipërisë.

Në takim, zoti Engel e siguroi kryeministrin Berisha se administrata e Presidentit Obama do të ndjekë të njëjtën politikë bashkëpunimi me Shqipërinë. Zoti Berisha bëri një prezantim të reformave që ka ndërmarrë vendi i tij në fusha të ndryshme.

Kryeministri Berisha pati gjithashtu një darkë zyrtare me senatorin Tom Coburn dhe u prit nga anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve Dana Rohrabacher.

Vizita e zotit Berisha përfshin edhe takime me Sekretaren e Departamentit amerikan të Shtetit, Hillari Klinton, me ish kandidatin republikan për president Xhon Mekein, me organizatat shqiptaro-amerikane, me delegacionin e Kosovës dhe me përfaqësuesit diplomatikë të Prishtinës në Uashington. //ii

XS
SM
MD
LG