Lidhje

Ekspertët: Thirrje presidentit për hapa graduale në Lindjen e Mesme


Presidenti Barak Obama u takua me Sekretaren e Shtetit, Hillari Klinton dhe me të dërguarin special për Lindjen e Mesme, Xhorxh Miçëll, i cili porsa u kthye nga vizita e tij e parë zyrtare në rajon. Por disa ekspertë të njohur thonë se ka pak gjasa që mes Izraelit dhe Palestinës të ketë një marrëveshje paqeje së shpejti, megjithë pritshmërinë nga administrata e zotit Obama për të rihapur bisedimet.

Presidentët e porsazgjedhur zakonisht marrin shumë këshilla, se çfarë duhet të bëjnë, veçanërisht mbi konfliktin izraelito-palestinez. Disa ekspertë të njohur të çështjeve izraelito-palestineze u takuan në Qendrën Uillson në Uashington për të këshilluar presidentin Obama mbi atë se çfarë duhet të mos bëjë ai në rajon, bazuar edhe në dështimet e presidentëve të kaluar në këtë çështje.

Robert Setlof, drejtori ekzekutiv i Institutit të Uashingtonit për Politikat e Lindjes së Afërt i dha zotit Obama dhjetë rekomandime të ndryshme:

"Mos e nis proçesin e paqes për arsyet e gabuara. Ky proçes nuk është zgjidhje për terrorizmin global dhe nuk do të ulë numrin e rekrutëve të Al Kaedës në Pakistan, Jemen apo Somali”, - tha ai.

Zoti Setlof tha se administrata e zotit Obama duhet të mësojë nga gabimet e presidentëve të kaluar dhe të mos përpiqet të gjejë udhëheqësin perfekt palestinez, pasi sipas tij, kjo strategji nuk ka funksionuar ndonjëherë.

Shtetet e Bashkuara mbështesin presidentin palestinez Mahmud Abaz në luftën për pushtet që ai zhvillon me grupin islamik Hamas.

Zoti Robert Malli i cili punon në Grupin Ndërkombëtar të Krizave në Uashington, foli me nota negative mbi proçesin e paqes gjatë konferencës:

"Besoj se nuk është momenti për një marrëveshje në shkallë të gjerë mbi mbylljen e konfliktit. Dhe kjo është themelore”, tha ai.

Zoti Malli thotë se tanimë kanë ndryshuar të gjithë parametrat që kanë drejtuar përpjekjet e administratës së presidentin Klinton në proçesin e paqes së viteve ‘90. Sipas tij, në rajon nuk ka më dy entitete që do të mund të hidhnin firmën mbi marrëveshjen.

Ai vuri re zgjedhjet e së martës së ardhshme në Izrael, që sipas anketave mund të fitohen nga ish kryeministri Benjamin Netaniahu. Ai po kështu theksoi se nuk ekziston më një lëvizje e vetme palestineze me të cilën mund të zhvillohen negociata, ndërsa besueshmëria tek Shtetet e Bashkuara në rajon ka rënë shumë gjatë tetë vjetëve të fundit.

Sipas zotit Malli mënyra më e mirë për të rifituar besueshmërinë tek Amerika do të ishte përmes përpjekjeve të mëdha humanitare në ndihmë të banorëve të Rripit të Gazës.

Luftimet mes Izraelit dhe Hamasit që nisën në muajin dhjetor dhe u mbyllën zyrtarisht më 18 janar, shkaktuan vdekjen e 1300 palestinezëve dhe 13 izraelitëve. Presidenti Obama ka autorizuar të jepen 20 milionë dollarë si ndihmë emergjente në ushqim dhe veshje për në Gazë.

Aron Dejvid Miller, studiues i Qendrës Uillson dhe ish këshillar i gjashtë sekretarësh shteti thotë se zoti Obama duhet të mos ndjekë një diplomaci transformuese në shkallë të gjerë:

"Siç e kuptoj ynë, ky rajon i urren idetë e mëdha, veçanërisht ato ide që imponohen, hartohen apo orkestrohen nga jashtë. Sinqerisht, besoj se administrata e mëparshme amerikane kërkoi të zhvillonte një diplomaci transformuese që do të përfshinte gjithçka, ndryshim regjimi, demokratizim, marrëveshje të mëdha e kështu me radhë”.

Zoti Miller bëri thirrje për një lloj diplomacie ndryshe, që bazohet tek hapat të vogla dhe pragmatike, siç janë përpjekjet për rindërtim në Gaza. Ai tha se presidenti Obama duhet t’i përdorë këto ide të mëdha për të zgjidhur krizën ekonomike në SHBA dhe të hedhë hapa të vogla dhe graduale në Lindjen e Mesme. //ek//

XS
SM
MD
LG