Lidhje

Presidenti Obama: Dallimet fetare duhet t’i bashkojnë njerëzit


Presidenti Barak Obama tha para figurave nga e gjithë bota se dallimet fetare duhet t’i bashkojnë njerëzit, dhe jo të krijojnë përçarje. Zoti Obama tha sot në Mëngjesin Kombëtar të Lutjeve se besimi fetar që frymëzon njerëzit, mund t’i shërbejë të mirës së përgjithshme.

Mes kryetarëve të shteteve, kryeministrave dhe personaliteteve të tjera botërore që merrnin pjesë, ishte edhe Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha.

Zoti Obama e përshkroi takimin si një prej rasteve të rralla, që mbledhin në Uashington pjesën më të madhe të botës në një aktivitet paqeje dhe vullneti të mirë. Zoti Obama u bëri thirrje të pranishmëve të gjejnë tek besimet e tyre mesazhin e dashurisë dhe përkushtimit ndaj atyre në nevojë.

“Pavarësisht nga zgjedhja që kemi bërë për besimin tonë, të mos harrojmë se asnjë besim nuk ka në thelb të tij urrejtjen. Nuk ka asnjë Zot që toleron marrjen e një jete të pafajshme”.

Çdo besim fetar, tha zoti Obama u kërkon pasuesve të tij të tregojnë respekt për fqinjin, ta duan vëllain sa veten, të trajtojnë me dinjitet dhe respekt çdokënd që u del përpara dhe të priren nga parimi i drejtësisë.

“Ky është një parim i lashtë, i thjeshtë, por njëkohësisht edhe më i vështiri, pasi na kërkon të gjithëve të marrim mbi vete një farë përgjegjësie për njerëz që mund të mos i njohim, me të cilët nuk kemi të njëjtin besim dhe me të cilët mund të mos biem dakord për disa apo të gjitha çështjet. Nganjëherë ky parim kërkon nga ne të zgjidhim armiqësi të lashta me kundërshtarë të përjetshëm. Kjo kërkon një besim aktiv, që nuk pret nga ne thjesht të besojmë por edhe të veprojmë në të mirë të të gjithë botës”.

Në këtë mënyrë, tha zoti Obama, besimi individual i secilit ndihmon për të realizuar një mirëqënie më të madhe për të gjithë njerëzimit. Në vend që të ushqejë dasitë, besimi i bashkon njerëzit për të ndihmuar ata në nevojë.

Mëngjesi Kombëtar i Lutjeve është një ngjarje e përvitshme në Uashington me pjesëmarrjen e presidentit amerikan, anëtarëve të Kongresit dhe udhëheqësve botërorë. (ze)

XS
SM
MD
LG