Lidhje

Një manjat i naftës shpreh mbështetjen për burimet alternative


Amerikanët po përfitojnë nga çmimet e ulëta të naftës, ndërkohë që çmimi i një fuçie karburant në treg luhatet nën 40 dollarë. Por manjati i naftës në Teksas, T. Boone Pickens thotë se do të ishte gabim të mendohet se çmimet e naftës do të mbeten të ulëta. Miliardieri i njohur ishte këto ditë në Washington për të shprehur mbështetjen e tij për zhvillimin e burimeve alternative energjitike. Ai thotë se çmimi i një fuçie naftë mund të arrijë në 75 dollarë nëse vazhdon kriza në Lindjen e Mesme.

Megjithë rënien e çmimeve të naftës, konsumatorët amerikanë shpenzuan vitin e kaluar 500 miliardë dollarë në naftë të importuar. Miliarderi nga Teksasi T. Boone Pickens thotë se i bie afërsisht 432 mijë dollarë për minutë.

"Nëse çmimi është 100 dollarë për fuçi dhe ndërpritet blerja, kursen 500 miliardë dollarë në vit. Kjo shumë është ekuivalenti i shumë vendeve pune në Amerikë nëse energjia prodhohet këtu."

Pickens synon t'i nxisë ligjvenësit amerikanë të miratojnë planin e tij për energjinë. Plani Pickens synon eleminim e varësisë nga importet brenda dhjetë vjetësh përmes shfrytëzimit të burimeve alternative si era apo energjia diellore.

"Brenda 10 vjetësh mund të çlirohemi nga varësia tek nafta nga Lindja e Mesme dhe Afrika, dy zonat më të paqendrueshme. Duhet të heqim dorë sepse ndoshta 90 përqind e atyre vendeve nuk janë miqësore."

Mbështetja amerikane tek nafta e huaj, thotë Pickens, ka arritur në nivele krize. Ai po fillon një program për informimin e amerikanëve rreth sasisë së naftës që importon vendi çdo muaj.

Veprimtari ambjentalist Robert Kennedy Jr. Thotë se shumat kolosale që amerikanët u japin prodhuesve të huaj kanë përkeqësuar problemet ekonomike të vendit.

"Kjo hemoragji gjigande e pasurisë kombëtare ka varfëruar një vend që kur unë isha fëmijë zotëronte gjysmën e pasurisë së të gjithë botës."

Muajin e kaluar Amerika importoi afro 20 miliardë dollarë naftë.

Pickens thotë se të dhënat mujore do do t'u japin mundësi amerikanëve të informohen mbi përparimet e vendit në zhvillimin e burimeve të veta energjetike. //kk//

XS
SM
MD
LG