Lidhje

Diskutim mbi të ardhmen e Kosovës, në 1-vjetorin e pavarësisë


Cila do të jetë e ardhmja e Kosovës? Përgjigja shfaqet në variante krejt kundërthënëse në analizat e dy folësve të diskutimit në Institutin Amerikan të Paqes. Si Profesori Stiven Meajer në Universitetin Kombëtar të Mbrojtjes, ashtu edhe analisti Lulzim Peci, drejtor i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave, pohojnë se gjendja aktuale paraqet një numër sfidash në drejtimin e vendit dhe forcimin e shtetit ligjor, ku veçojnë autoritetin kontradiktor të shefit të Misionit të BE-së në Kosovë.


"Funksioni i dyfishtë i zotit Peter Feith e vendos atë në mes të dy objektivave të kundërta të postit të tij. Zyra e Bashkësisë Ndërkombëtare të cilën drejton zoti Feith, mbështet zbatimin e planit Ahtisari dhe pavarësinë e Kosovës, ndërsa ai drejton edhe misionin e Bashkimit Evropian, që mban statusin neutral. Kjo krijon probleme në terren, pasi Bashkimi Evropian është pjesërisht i angazhuar në sundimin e ligjit në Kosovë, por ngrihet pyetje për cilin ligj bëhet fjalë?"

Sfida me të cilin ndeshen autoritetet në Kosovë, thotë Profesor Majer e ka zanafillën tek vetë Plani Ahtisaari, që Prishtina zyrtare po përpiqet të vërë në zbatim:

"Në pikëpamjen time, Plani Ahtisari do të çonte në një strukturë politike që vetë kosovarët nuk e duan, pasi parashikon një decentralizim të pushtetit, ku komunitetet serbe mund të mbajnë lidhje me njëri-tjetrin dhe Beogradin dhe të ekzistojnë pa pasur nevojë për shumë kontakte me Prishtinën. Pra ky plan është drejtimi i gabuar nëse synon të arrish një Kosovë të bashkuar."

Në këtë ndërthurje autoritetesh dhe pushtetesh konkurente, cila është rruga përpara për konsolidimin e shtetit? Përgjigja për analistin Peci gjendet në një proces gradual të forcimit të institucioneve qendrore dhe decentralizimin e pushtetit lokal për t'u dhënë më kontroll komuniteteve serbe mbi funksionet e tyre të përditshme.

"Propozoj forcimin e komuniteteve serbe në jug të Lumit Ibër, për të zhvendosur qendrën e rëndesës për komunitetit serb nga pjesa veriore në zonat në jug të Lumit Ibër. Ndërkaq, Plani Ahtisaari nuk është i mjaftueshëm për pjesën veriore, prandaj propozojmë një zgjidhje graduale që fillon me vendosjen e rendit, dhe zbatimi i decentralizimit, duke i nxitur përmes programeve specifike, pjesëtarët e komuniteteve të angazhohen në institucionet e Kosovës".

Është një zgjidhje që, sipas Profesorit Majer, bazohet në bindjen se serbët e Kosovës duan të integrohen dhe se për momentin kanë qenë viktima të presionit nga Beogradi. Por përvoja e deritanishme flet për një realitet krejt tjetër, ku komunitetet serbe thjesht NUK duan të integrohen dhe Kosova është praktikisht e ndarë, thotë ai, prandaj ai shikon një zgjidhje të vetme realiste:

"Mendoj se Kosova duhet ndarë, pasi nuk funksionon ndryshe. Enklavat serbe në jug të Lumit Ibër duhet ose të mbështeten me burime për t'i ndihmuar të vendosen jashtë Kosovës, ose duhet të vendosen standarte shumë të forta ndërkombëtare për t'i mbrojtur ata. Por duhet thyer cikli i dëshpërimit."

Kjo alternativë zgjon një reagim të fortë jo vetëm nga zoti Peci, por edhe nga të pranishmit ndër të cilët edhe serbë. Është një formulë që i ka kaluar koha, thotë zoti Peci, një zgjidhje që u kundërvihet të gjitha parimeve për shoqëri shumetnike në Ballkan:

"Ideja e ndarjes së Kosovës do të vrasë idenë e Kosovës si shtet. Rezultantja e kësaj politike do të ishte bashkimi me Shqipërinë, pasi Kosova do të ishte një shtet me thuajse 100% shqiptarë."

Për një shtet të ri si Kosova, dilemat për të ardhmen janë më se normale. Zoti Mejer thekson se ka ardhur koha që Perëndimi t'ia lërë në dorë popullit të Kosovës zgjidhjen e këtyre dilemave që t'i japë formë të ardhmes së saj. Për zotin Peci populli i Kosovës e ka thënë fjalën e tij me votën demokratike të shumicës dhe tani kërkohet durim dhe largpamësi për të integruar edhe pakicat në shtetin e ri.//ad//

XS
SM
MD
LG