Lidhje

Sekretet bërthamore dhe marrëdhëniet SHBA-Pakistan


Një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit thotë se Pakistani i ka dhënë Shteteve të Bashkuara sigurime se shkencëtari A. Q. Khan, i liruar nga arresti shtëpiak pesëvjeçar për shitjen e sekreteve bërthamore, nuk do të përbëjë më rrezik. I dëguari i posaçëm amerikan Riçard Hollbruk, i cili ndodhet në Islamabad, pritet ta ngrejë këtë çështje në takimet me udhëheqësit pakistanezë.

Departamenti i Shtetit, i alarmuar nga lirimi javën e kaluar i shkencëtarit A. Q. Khan, tha se autoritetet pakistaneze kanë dhënë sigurime se ai do të ndalohet të merret me aktivitete që lidhen me përhapjen e armëve bërthamore dhe se Shtetet e Bashkuara do të kërkojnë me ngulm që këto premtime të mbahen.

Zoti Khan, i respektuar në Pakistan si babai i programit bërthamor të këtij vendi, u vu nën arrest shtëpie në vitin 2003 pasi pranoi se i kishte shitur sekrete bërthamore Iranit, Libisë dhe Koresë së Veriut. Papritur, të premten, Gjykata e Lartë e Pakistanit deklaroi se ai nuk ishte kishte lidhje me ndonjë veprimtari kriminale dhe se arrestimi i tij kishte qenë i paligjshëm.

Shtetet e Bashkuara, të cilat ndihmuan në gjetjen e provave që çuan në arrestimin e zotit Khan, u ankuan menjëherë. Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton tha se ishte tepër e shqetësuar për lirimin ndërsa një zëdhënës tha se zoti Khan mbetej një rrezik serioz.

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit i cili komentoi për gazetarët, tha se ambasadorja amerikane në Pakistan, An Paterson u takua të dielën me zyrtarë të lartë pakistanezë në Islamabad me të cilët foli për masat që po merren për të garantuar se zoti Khan nuk do të jetë në gjendje të rindërtojë rrjetin e tij të përhapjes së armëve bërthamore apo të shkëmbejë informacione të kësaj natyre me vende të tjera.

Zyrtari nuk dha hollësi për kufizimet por gazeta Washington Post citonte zyrtarë pakistanezë, sipas të cilëve, do të monitorohen telefonatat e zotit Khan si dhe vizitorët e tij apo aktivitetet që ai bën si dhe do të ndalohet ai të udhëtojë jashtë Pakistanit.

I pyetur nëse Shtetet e Bashkuara janë të kënaqura me këto masa, zyrtari tha se premtimet duken të mira në letër por Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të shohin se sa do t’i mbajnë këto premtime zyrtarët pakistanezë.

Zëdhënësi në detyrë i Departamentit të Shtetit, Robert Wood tha se administrata Obama mbetet shumë e shqetësuar lidhur me vendimin e gjykatës pakistaneze për lirimin e zotit Khan dhe do të vazhdojë ta diskutojë çështjen me zyrtarët e Islamabadit.

"E kaluara e zotit A. Q. Khan ka qenë shqetësim i madh për ne dhe për një numër vendesh të tjera në botë. Ne do të bëjmë ç’është e mundur që këto lloj aktivitetesh të së kaluarës të mos vazhdojnë."

Zyrtari i lartë tha se i dërguari i posaçëm amerikan për Afganistanin dhe Pakistanin, Riçard Hollbruk, i cili arriti dje në Islamabad për vizitën e tij të parë në rajon, do ta ngrejë çështjen e A. Q. Khan-it në bisedimet me zyrtarët e lartë të Pakistanit.

Zoti Hollbruk, ish ambasador i Shteteve të Bashkuara në OKB, ndodhet në rajon për të diskutuar mbi konfliktin afgan si pjesë e rishikimit që administrata Obama po i bën politikës për Afganistanin. Por Departamenti i Shtetit ka thënë se diplomatit i janë dhënë kompetenca për të diskutuar të gjitha çështjet që lidhen me marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Pakistanit. //ii

XS
SM
MD
LG