Lidhje

Klinton: Planet për sistemin antiraketor mund të rishqyrtohen


Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton thotë se administrata e zotit Obama mund të rishqyrtojë planet amerikane për një sistem mbrojtjeje nga raketat nëse Irani do t’i jepte fund atyre që zyrtarët amerikanë besojnë se janë përpjekje për ndërtimin e armëve bërthamore. Zonja Klinton u takua me ministrin e jashtëm çek, Karel Shvarzenberg. Qeveria polake dhe ajo çeke kanë rënë dakord që sistemi amerikan antiraketor të ndërtohet në këto shtete.

Administrata e presidentit Obama nuk e ka mbështetur plotësisht programin për mbrojtje nga raketat, të cilit administrata e ish presidentit Bush i dha shumë rëndësi. Ekipi i zotit Obama ka bërë me dije se ka shqetësime mbi anën teknike të programit.

Në deklaratën që bëri së bashku me homologun e saj çek, sekretarja Klinton i përsëriti këto shqetësime ndërsa tha se programi mund të pezullohet nëse Irani i jep fund përpjekjeve për ndërtimin e armëve bërthamore.

Zonja Klinton shprehu mirënjohje që Republika Çeke dhe Polonia po punojnë me Shtetet e Bashkuara siç tha ajo në përpjekje për të bindur apo parandaluar Iranin të pezullojë ndërtimin e armëve bërthamore dhe një projekt raketash me rreze të gjatë veprimi.

Ajo tha se vendimet mbi kohën dhe vendosjen e sistemit antiraketor janë çështje kryesisht teknike dhe shtoi se sjellja e palës iraniane do të luajë rol kryesor mbi të ardhmen e planit amerikan.

"Nëse shohim ndryshime nga ana iraniane në lidhje me përpjekjet e tyre për ndërtimin e armëve bërthamore, atëherë ne do të rishqyrtojmë pozitën tonë. Por jemi ende shumë larg këtyre ndryshimeve", tha ajo.

Zonja Klinton përmendi një koment të nënpresidentit Xho Bajden gjatë fjalimit të tij të shtunën në Mynih mbi politikat amerikane, ku ai tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë me planin antiraketor nëse ka prova që kjo teknologji funksionon dhe nuk është tepër e kushtueshme.

Zoti Bajden po kështu tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të këshillohen me NATOn në lidhje me këtë çështje ashtu sikurse me Rusinë, vend i cili e ka kundërshtuar programin amerikan dhe e ka quajtur kërcënues për mbrojtjen e vet strategjike. //ek//

XS
SM
MD
LG