Lidhje

Hollbruk, Karzai - marrëveshje për pjesëmarrjen afgane në rishikimin e strategjisë


Presidenti afgan Hamid Karzai thotë se qeveria e tij do të marrë pjesë në rishikimin strategjik që do t’i bëjë Presidenti Barak Obama luftës në Afganistan. Korrespondenti i Zërit të Amerikës njofton nga Kabuli, ku zoti Karzai bëri të njohur marrëveshjen, pas takimit me të dërguarin e posaçëm amerikan, Riçard Hollbruk:

Zoti Karzai i përshkroi bisedimet me ambasadorin Hollbruk si të sinqerta, të detajuara dhe të frutshme dhe ai shtoi se pret me kënaqësi bashkëpunimin me Presidentit Barak Obama për rishikimin e strategjisë amerikane në rajon.

"E falënderoj Presidentin Obama që e pranoi propozimin tim që zyrtarët afganë të marrin pjesë në rishikimin e strategjisë së SHBA për luftën kundër terrorizmit. Në këtë kuadër, delegacioni afgan i kryesuar nga Ministri i Jashtëm Dr. Spanta do të vizitojë Shtetet e Bashkuara," - tha zoti Karzai.

Riçard Hollbruk u takua me një numër ligjvënësish, zyrtarësh dhe analistësh në Pakistan dhe Afganistan në atë që zyrtarët amerikanë e kanë përshkruar si një udhëtim për grumbullimin e fakteve. Gjatë një vizite në Pakistan javën e kaluar, zyrtarët atje bënë të njohur se edhe ata do të marrin pjesë në rishikimin e strategjisë amerikane.

Udhëtimi i zotit Hollbruk pritet të ndihmojë në formulimin e rekomandimeve për ndryshimin e politikave amerikane në Afganistan dhe Pakistan, që kanë nuk kanë patur sukses në luftën kundër talebanëve.

Vizita e zotit Hollbruk në Kabul po ashtu u krye pas disa muaj kritikash se problemet në Afgansitan janë shkaktuar pjesërisht për shkak të mossuksesit të Presidentit Karzai në luftën kundër çrrënjosjes së korrupsionit në qeveri dhe fuqizimin e insitucioneve shtetërore.

Korrupsioni qeveritar është bërë i dukshëm, ndërkohë që Afganistani përgatitet për zgjedhjet presidenciale.

Votimet pritej të zhvilloheshin në pranverë, por muajin e kaluar, zyrtarët e zgjedhjeve thanë se nevojitej më tepër kohë për përgatitjen e votimeve për në fund të gushtit. Ky njoftim i zemëroi kundërshtarët politikë të zotit Karzai, të cilët ishin përpjekur që zgjedhjet të zhvilloheshin më parë.

Sipas kushtetutës së Afganistanit, mandati presidencial i zotit Karzai përfundon më 21 maj dhe kundërshtarët e tij thonë se ai duhet të largohet nga pushteti menjëherë pas kësaj date.

Ambasadori Hollbruk e miratoi zhvillimin e zgjedhjeve në gusht, pa bërë komente lidhur me kundërthëniet për mandatin presidencial të zotit Karzai.

"Ne shprehëm besimin tonë të madh se vendimi i komisionit zgjedhor për zhvillimin e zgjedhjeve më 20 gusht ishte i përshtatshëm në kushtet e gjendjes aktuale në Afganistan," - tha zoti Hollbruk.

Në një intervistë që dha dje para gazetarëve në Kabul, zoti Karzai po ashtu vlerësoi një marrëveshje të kohëve të fundit mes Afganistanit dhe ushtrisë amerikane, që synon rritjen e rolit të forcave afgane në zhvillimin e inkursioneve dhe kërkimeve nëpër shtëpi. Marrëveshja synon pakësimin e viktimave mes civilëve, që është bërë një burim polemikash mes zotit Karzai dhe trupave të huaja.//lk



XS
SM
MD
LG