Lidhje

Administrata e presidentit Obama vazhdon të njëjtat politika në Pakistan


Megjithë kundërshtimet e Pakistanit, administrata e zotit Obama po vazhdon sulmet ajrore kundër bazave të militantëve brenda territorit pakistanez, duke ndjekur të njëjtën politikë të ish presidentit Bush. Zyrtarë të lartë amerikanë thonë se rreziku i Al Kaidës nga kjo zonë e Pakistanit është real.

Administrata e zotit Obama po vazhdon politikat e ish presidentit Bush duke përdorur objekte fluturimi të telekomanduar për të ekzekutuar sulmet me raketa kundër bazave të Al Kaedës brenda Pakistanit. Islamabadi thotë se sulmet përbëjnë shkelje të sovranitetit të vendit dhe minojnë përpjekjet vendase për të mposhtur militantët.

Por gjatë një seance në Kongres, Sekretari i Mbrojtjes Robert Gejts tha se këto lloj sulmesh do të vazhdojnë.

"Si Presidenti Bush edhe Presidenti Obama kanë bërë të qartë se do ta sulmojmë Al Kaedën kudo që të jetë dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”.

Vazhdimi i sulmeve ajrore përkon me premtimet e zotit Obama gjatë fushatës presidenciale. Emërimi i zotit Riçard Hollbruk si i dërguar special për Pakistanin dhe Afganistanin shihet nga shumë ekspertë si një tregues i rëndësisë që kanë këto dy vende për politikat amerikane.

Zonja Liza Kërtis nga Fondacioni Heritage thotë se, ndonëse administrata e zotit Obama nuk po flet mbi Pakistanin, mund të nënkuptohet se çfarë ka ndërmend t’i ofrojë këtij vendi.

"Besoj se mund të nënkuptojmë që ndihma ushtarake do të kushtëzohet, do të ketë më shumë ndihmë ekonomike si dhe do të vazhdojnë sulmet ajrore. Po kështu duket që diplomacia amerikane ndaj Pakistanit do të forcohet”.

Shefi i Shtatmadhorisë, admirali Majk Myllën thotë se militantët brenda Pakistanit përbëjnë një kërcënim serioz ndaj Shteteve të Bashkuara dhe botës. Ai thotë se në strehat militante brenda Pakistanit ndodhen shumë terroristë që duan të godasin Shtetet e Bashkuara.

"Kërcënimi ekziston. Dhe është përgjegjësia ime të këshilloj presidentin e Shteteve të Bashkuara mbi sigurinë e popullit tonë. Kërcënimi terrorist është real dhe ne do të vazhdojmë ta luftojmë atë”.

Por presidenti pakistanez Asif Ali Zardari thotë se sulmet ajrore nga avionët amerikanë të telekomanduar kanë efekt negativ pasi ato shtojnë anti-amerikanizmin në vend. Duke komentuar për gazetën Uashington Post, zoti Zardari i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të fuqizojnë si ndihmën ushtarake ashtu edhe atë joushtarake për Pakistanin.

Por Admirali Myllën thotë se shqetësimin kryesor amerikan mbetet prania e Al Kaedës në zonat gjysëm-autonome fisnore të Pakistanit.
Ai thotë se duhen eliminuar zonat e lira të veprimit për terroristët në Afganistan apo gjetkë.

Gjatë dëshmisë në Kongres, zoti Gejts tha se Pakistani e ka të qartë se sulmet ajrore të telekomanduara do të vazhdojnë. Por gjatë një deklarate pas seancës në Kongres, ministri i jashtëm i Pakistanit tha se mes Uashington dhe Islamabadit nuk ka asnjë marrëveshje mbi sulmet. //ek

XS
SM
MD
LG