Lidhje

Në Shqipëri rikthehet në skenë çështja Fazlliç


Në Shqipëri rikthehet në skenë çështja Fazlliç. Biznesmeni serbo-boshnjak i cili është nën hetim nga prokuoria shqiptare pasi dyshohet për pastrim parash dhe evazion fiskal, ishte dje pasdite në Tiranë, ku u paraqit përpara prokurorëve të cilët e morën në pyetje për afër dy orë, deri në mbrëmje.

Biznesmeni Damir Fazlliç u bë mjaft i njohur vjeshtën e kaluar jo vetëm për akuzat e publikuara në shtypin ballkanik për lidhje të tij me personazhe të errta të rajonit, por edhe për miqësinë me drejtues të lartë të shtetit shqiptar, Kryeministrin Sali Berisha dhe Ministrin e Jashtëm Lulëzim Basha.

Fazlliç zotëron disa aktivitete tregtare në Shqipëri dhe vajza e Kryeministrit Berisha, siç ka pohuar vetë serbo boshnjaku, është konsulentja ligjore e disa prej këtyre aktiviteteve. Kryeministri megjithatë ka mohuar që Fazlliç të ketë përfituar nga lidhjet e tij me atë vetë, në zhvillimin e bizneseve në Shqipëri.

Prokuoria shqiptare nis hetimet ndaj tij pas publikimeve në shtyp të disa transaksioneve financiare me anë të të cilave Fazlliç kishte shitur për shuma të mëdha kompani të tij të regjistruara në Shqipëri, pavarësisht se ato nuk kishin zhvilluar asnjë aktivitet. Në atë kohë Fazlliç erdhi në Tiranë për disa orë për të dhënë një intervistë në televizionin Klan dhe arriti të largohej përpara se prokurorët ta merrnin në pyetje. Çështja provokoi një përplasje të fortë mes Prokurorisë dhe qeverisë.

Dje pasdite Fazlliç u paraqit vullnetarisht në prokuorinë shqiptare, ndonëse hetuesit kishin kërkuar ndihmën e autoriteteve boshnjake për këtë gjë. Mbi seancën e pyetjeve e cila zgjati afër dy orë nuk u dha asnjë njoftim. Vetë Fazlliç u mjaftua të thotë se ai kishte respektuar drejtësinë shqiptare.

Prokurorët e konsiderojnë megjithatë pozitive mundësinë e marrjes së deklarimeve nga vetë biznesmeni edhe për të ballafaquar dokumentet që ata disponojnë dhe që presin të marrin akoma nga Bosnja apo dhe Qiproja ku janë regjistruar disa prej kompanive të zotit Fazlliç.//ii

XS
SM
MD
LG