Lidhje

Kaltërina nga Kosova operohet suksesshëm në SHBA


Pak kilometra nga Kamenica, në pjesën lindore të Kosovës, në fshatin Novo Sellë, afër kufirit me Serbinë, Kaltërina Rullani, jeton bashkë me familjen e saj. Kaltërina, tani 16 vjeçe, prej vitesh vuante nga një deformim në shtyllën kurrizore, por, pak muaj më parë ajo i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjike në spitalin Johns Hopkins në Baltimore të Shteteve të Bashkuara, i cili i ka dhënë drejtim tjetër jetës së saj

" Dhimbje kam pasur në boshtin kurrizor. E kam ditur se në Amerikë po shkoj për shërim, e kam ditur se do të hyj në operacion, por se do të shërohem qind për qind nuk e kam besuar. Kur jam ngritur në këmbë dhe kur e kam parë veten në pasqyrë, jam befasuar shumë. Jam shumë e lumtur, tani jam si të gjitha shoqet e mia".

Rasti i Kaltërinës u zbulua nga doktor Bob Muncinger, kur ai ndodhej me shërbim bashkë me trupat paqeruajtëse amerikane ne Kosovë. Doktor Muncinger, i cili kishte kryer praktikën mjekësore ne spitalin Johns Hopkins mori përsipër shpenzimet e udhëtimit të Kaltërinës nga Prishtina në Baltimor; administrata e spitalit mbuloi shpenzimet e qëndrimit, ndërsa mjeku kirurg Paul Sponseller dhe grupi i mjekëve të departamentit të ortopedisë vendosën ta kryenin operacionin falas, jashtë orarit.

Kirurgu i Kaltrinës, doktor Sponseller, thotë se operacionet në shtyllën kurrizore, sikur ky i Kaltrinës, janë më shumë rrezik; pacientët mund të mbesin edhe të paralizuar. Ndoshta kjo, thotë ai, ka qenë edhe një nga arsyet përse Kaltrina kishte mbetur pa u trajtuar.

" Po të mos ndërhuhet në boshtin kurrizor të Kaltërinës, ajo do të bëhej më e deformuar, mushkëritë e saj do të shtypeshin dhe probleme edhe më të rënde do të pasonin.... Gjatë operimit janë përdorur rreth 24 vida përgjatë shtyllës kurrizore si dhe dy shufra të gjata në të dy anët e shtyllës për drejtimin e saj. Pas 8 orësh, operacioni përfundoi me sukses të plotë. Nga drejtimi i shtyllës kurrizore Kaltërina arriti një zgjatje trupore prej disa centimetrash".

"E falënderoj shumë mjekun i cili më ka operuar, doktor Sponseller, e falënderoj edhe Bob Muncinger me të cilin kam marrë rrugë për në Amerikë de po ashtu i falënderoj të gjithë mjekët në spitalin e Amerikës. Tash ndihem shumë mirë, nuk kam dhimbje. Ka katër ditë që kam filluar të shkoj edhe në shkollë. Ndihem shumë mirë, shumë e lumtur".

Kaltërina është operuar në dhjetor të vitit të kaluar. Ajo në prill pritet të udhëtojë sërish për në Baltimore për një kontroll mjekësore. Mjekët që operuan Kaltërinën besojnë se së shpejti ajo do të mund të ecë drejtë, pa asnjë shenjë që do ta dallonte atë nga shoqet e saja. E vetmja gjë që mjekët në Baltimor kërkojnë nga ajo është që herë pas here t'u dërgojë radiografi të boshtit të kurrizit për të parë ecurinë e shërimit të saj të plotë.

Kaltrina dhe familja e saj janë shumë mirënjohës ndaj mjekëve amerikanë, angazhimi i të cilëve hapi një kaptinë të re të kësaj familejeje, sikurse thonë ata që angazhimi amerikan hapi një kaptinë të re për tërë Kosovën.

XS
SM
MD
LG