Lidhje

SHBA përshëndesin Kosovën në njëvjetorin e pavarësisë


Shtetet e Bashkuara urojnë popullin e Republikës së Kosovës, ndërsa ai feston një vjetorin e shpalljes historike të pavarësisë. Si sot një vit më parë, Kosova u bë shtet sovran dhe i pavarur.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Gordon Duguid, me anë të një deklarate vuri në dukje se gjatë këtij viti, Kosova ka ecur me shpejtësi përpara për ndërtimin e institucioneve demokratike dhe për zbatimin e parimeve të planit të hartuar nga i dërguari i posaçëm i Kombeve të bashkuara, laureati i çmimit Nobel të Paqes, Marti Ahtisari, duke përfshirë këtu dispozitat e forta kushtetore për mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe trashëgimisë fetare e kulturore. 54 vende nga e gjithë bota kanë njohur pavarësinë e Kosovës, mes tyre shumica e vendeve të Bashkimit Evropian, NATO-s dhe të Organizatës për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë. Si një shtet i pavarur, thuhet më tej në deklaratë, Kosova ka mirëpritur dhe po bashkëvepron me efektivitet me EULEX-in dhe misionin e tij për ruajtjen e rendit, me NATO-n dhe me përfaqësues të tjerë të komunitetit ndërkombëtar për të krijuar një ekonomi të shëndoshë e të qëndrueshme, një sistem drejtësie të vetëm dhe transparent dhe institucione të tjera të një demokracie moderne evropiane shumë etnike.

Shtetet e Bashkuara përshëndesin përpjekjet e popullit e të qeverisë së Kosovës për nxitjen e qëndrueshmërisë në rajon dhe për të bashkëpunuar pa dallime etnike e fetare për krijimin e një të ardhmeje të sigurtë e të begatë. Sekretarja e Shtetit, tha zëdhënësi Duguid, mirëpret ardhjen e presidentit dhe të kryeministrit të Kosovës në departamentin e shtetit më 26 shkurt për të riafirmuar zotimin amerikan të miqësisë dhe mbështetjes për Kosovën. //rd//

XS
SM
MD
LG