Lidhje

BE le në pritje Shqipërinë për kërkesën e anëtarësimit


Komisioni Europian i la në pritje ambiciet e Shqipërisë që ajo të aplikojë në një kohë të shpejtë për statusin e vendit kandidat për anëtar, duke e lidhur këtë me zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare.

Me një gjuhë diplomatike, zëdhënësja e Komisionerit për Zgjerimin Olli Rehn, deklaroi dje pas takimit në Bruksel të zotit Rehn me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë Lulëzim Basha, se “qeveria shqiptare ka bërë një zgjedhje të urtë për të mos nxituar me aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Europian”.

Qeveria, tha zëdhënësja Kristina Nagy, ftohet ta koordinojë këtë lëvizje me kryesinë e radhës të BE-së, me vendet anëtare dhe me Komisionin Europian. Në këtë kontekst, tha zëdhënësja, të rëndësishme për Shqipërinë ashtu si dhe për çdo vend tjetër, janë treguesit e kënqshëm të rezultateve në zbatimin e detyrimeve.

Marrëveshja e Stabilizim Asocimit, përfshirë dispozitat e saj tregtare, tha zonja Nagy, është një element thelbësor që BE-ja të marrë në shqyrtim çdo aplikim për anëtarësim. Ajo theksoi se “përgatitja dhe zhvillimi i mbarë i zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009 në përputhje me standardet ndërkombëtare është një kusht kyç për progresin e mëtejshëm të Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian”.

Ndonëse jo e thënë në mënyrë direkte, hapi i ardhshëm i Shqipërisë drejt Brukselit, do të duhet të bëhet vetëm pas zgjedhjeve. Qeveria shqiptare synonte që të aplikonte në javët e ardhshme. Por paralajmërimi i Komisionit është i qartë.

Sipas burimeve nga Komisioni Europian, ai është ndikuar nga këmbëngulja publike e qeverisë shqiptare për të mos marrë parasysh vërejtjet mbi ligjin e dosjeve. Komisioneri Olli Rehn ka theksuar në takimin me ministrin Basha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e ligjit është mirëpritur. //ii

XS
SM
MD
LG