Lidhje

Presidenti Obama zotohet të përgjysmojë deficitin buxhetor


Presidenti Barak Obama deklaroi se do ta përgjysmojë deficitin buxhetor të vendit megjithë qindra miliardat që po shpenzon administrata e tij për të stimuluar ekonominë. Presidenti mblodhi dje në Shtëpinë e Bardhë ligjvënës dhe ekspertë në kërkim të mënyrave për të shkurtuar shpenzimet, për të rritur të ardhurat e buxhetit dhe për të ecur drejt eliminimit të deficitit federal.

Më pak se një javë pas nënshkrimit të projektligjit për shpenzimet federale – më i madhi në historinë e Amerikës - Presidenti Obama premtoi se do ta verë deficitin federal nën kontroll.

"Premtoj se deri në fund të mandatit tim presidencial do ta shkurtoj përgjysmë deficitin që trashëguam."

Deficiti i buxhetit federal amerikan ka arritur aktualisht rekordin e $1.3 trilion dollarëve. Zoti Obama tha se vendi nuk mund të kthehet dot në një bazë të shëndoshë ekonomike nëse kjo çështje nuk zgjidhet.

"Nëse ne duam ta zgjidhim këtë krizë pa u përpjekur të zgjidhim edhe deficitet që ndikuan në krijimin e saj, atëhere ne rrezikojmë të zhytemi në një tjetër krizë pasi pagesat tona për interesin e borxhit do të rriten, obligacionet do të skadojnë dhe do të na duhet t’i paguajmë, besimi tek ekonomia jonë do të bjerë dhe fëmijët apo nipërit tanë nuk do të jenë në gjendje të realizojnë ëndrrat e tyre sepse do të jenë të zhytur në borxhet që do t’i kemi lënë ne."

Presidenti tha se kjo nuk do të jetë e lehtë dhe se alternativat do të jenë të vështira. Ai tha se administrata po analizon buxhetin federal rresht pas rreshti, duke peshuar se sa vlerë ka secili program.

"Ne do t’i përsërisim këto përpjekje në të gjithë qeverinë federale, duke eliminuar programet që nuk funksionojnë dhe duke ruajtur ato që funksionojnë më mirë."

Presidenti Obama tha në takimin e nivelit të lartë për përgjegjshmërinë fiskale të organizuar nga Shtëpia e Bardhë se për një kohë mjaft të gjatë janë përdorur truke kontabiliteti për të fshehur përmasat e vërteta të deficitit. Gjërat duhet të ndryshojnë, tha ai.

"Nëse dëshirojmë të rindërtojmë ekonominë tonë, të rivendosim disiplinë dhe ndershmëri në buxhetin tonë, atëhere duhet të ndryshojmë mënyrën e punës në Uashington. Nuk duhet të biem përsëri në zakonin e vjetër dhe të bëjmë të njëjtat gabime," tha Presidenti Obama.

Po dje, duke folur përpara guvernatorëve të shteteve amerikane, zoti Obama paraqiti argumentet e tij se përse qeveria duhet të tregojë përgjegjshmëri në veprimet e saj.

Ai tha se kur të fillojë zbatimi i paketës së stimulimit ekonomik prej 787 miliard dollarësh që ai nënshkroi javën e kaluar, ka rëndësi të madhe që paratë të shpenzohen me maturi.

"Ne po përballemi me krizën më të madhe ekonomike në dekada duke investuar shuma pa precedent nga paratë e fituara me aq mundim prej popullit amerikan. Bashkë me këtë vjen edhe një detyrim i pa precedent që kjo të bëhet me maturi, pa ndikime politike dhe prapavija personale," tha Presidenti.

Presidenti Obama tha në takimin me guvernatorët se kësti i parë i fondit të stimulimit - 15 miliard dollarë si ndihmë për kujdesin shëndetësor ndaj personave në nevojë – do t’u jepet shteteve duke filluar nga e mërkura.

Përgjithësisht, demokratët e përkrahin fuqimisht planin. Por guvernatorët republikanë janë më të ndarë në mendime. Disa prej tyre refuzojnë të marrin pjesën e caktuar për shtetet e tyre.

Guvernatori i Vermontit, Xhim Dagllas, duke folur në emër të homologëve të tij republikanë në takim, shfaqi shpresën se të gjitha palët do të bashkojnë forcat kur plani i stimulimit të fillojë të zbatohet.

"Të vësh përsëri në lëvizje Amerikën, kjo nuk është çështje partiake. Si republikanët edhe demokratët kanë humbur vende pune kudo në vend dhe ne duhet të përpiqemi së bashku që ata të kenë përsëri punë."

Presidenti do të flasë mbi synimet e tij ekonomike sonte në fjalimin e tij përpara të dyja dhomave të Kongresit. Të enjten, ai do të shpallë buxhetin e tij federal për vitin tjetër financiar që fillon në muajin tetor. //ii

XS
SM
MD
LG