Lidhje

Banka Botërore përgjigjet për projektin e bredgetit


Zyra e Bankës Botërore në Tiranë dha sot shpjegimet e veta lidhur me projektin e shumë diskutuar të financuar prej saj, për bregdetin e Shqipërisë, i cili u bë objekt pas prishjes kryesisht të disa ndërtimeve në Jalë.

Zyra e Bankës Botërore iu referua raportit të grupit të menaxherëve të hartuar në përgjigje të raportit të panelit të investigimit. Një raport i cili siç u tha dhe në deklaratën e Bordit të Drejtorëve Ekzekutiv “pranon gabimet serioze në përgatitjen dhe mbikqyrjen e projektit si dhe gabimet në komunikimin me vetë bordin”.

Duke ju përgjigjur disa pyetjeve të ngritura nga mediat e këtushme drejtoresha e zyrës së bankës Botërore në Tiranë Kamil Nuama tha se “prishja e objekteve në Jalë nuk ka qenë e autorizuar nga Banka Botërore”. Madje letërkëmbimin mes njësisë së koordinimit të projektit (pra palës shqiptare) dhe policisë ndërtimore ajo “e ka marrë në kohën kur prishjet kishin nisur”. Siç dihet për këto prishje policia ndërtimore u ndihmua nga fotot ajrore të bëra nga projekti i financuar nga Banka.

Zonja Nuamah shpjegoi se “njësia e Koordinimit të Projektit duhej të ishte sqaruar se fotografitë nuk duhet të përdoreshin si mjet për të vënë në shënjestër prishjen e objekteve”. Ndër gabimet kryesore që pranohen nga Banka është fakti se ajo “nuk ka trajtuar dhe dokumentuar si duhet politikat e saj për shpërnguljen e detyruar” që në një rast të tillë parashikon edhe zhdëmtimin: “Në kohën kur është paraqitur në brod projekti gruèpi i menaxherëve gjykonte se kjo politikë nuk aplikohej në këtë rast dhe e konsideronte programin në zbatim të qeverisë shqiptare për prishjen e ndërtimeve si një program jashtë objektit të projektit” shkruhet në raport.

Gjithashtu një tjetër gabim vlerësohet edhe fakti që Banka ka dhënë pëlqimin e saj për mërimin e zoti Jamarbër Malltezi, dhëndër i kryeministrit Sali Berisha si koordinator të projektit. Ky quhet “një gjykim i dobët nga ana e Bankës po të konsiderohet - sic thekson raporti - se një emërim i tillë do të krijonte të paktën perceptimin e konfliktit të interesit dhe rrjedhimisht një rrezik për reputacionin e Bankës Botërore”.

Banka do të vazhdojë me analizën e saj të brendshme për këtë cështje duke theksuar edhe një herë se objekt i hetimit të Panelit të inskpektimit, “nuk është dhe nuk mund të jetë huamarrësi”, pra në këtë rast pala shqiptare dhe se “asnjë hetim për korrupsion as ndaj punonjësve të Bankës nuk është ndërmarrë nga paneli i inspektimit”.

Lidhur me projektin dhe vijimësinë e tij, ndryshe nga sa është thënë prej autoriteteve të këtushme, zyra e Bankës Botërore në Tiranë tha se “kredia prej 17.5 milion dollarësh mbetet e pezulluar derisa të arrihet në një vendim nëse projekti do të ristrukturohet duke hequr veprimtaritë e planifikimit të tokës, apo do të anulohet tërësisht”.

Banka gjithashtu ka saktësuar se marrëdhënia e saj me qeverinë shqiptare “vijon të jetë produktive dhe se banka mbetete angazhuar për zhvillimin e Shqipërisë, uljen e varfërisë dhe përmirësimin e mirëqënies sociale duke saktësuar se janë afër 300 milion dollarë në projekte që janë në zbatim e sipër”. //rd//


XS
SM
MD
LG