Lidhje

Presidenti Obama komenton mbi planin për mbrojtjen nga raketat


Presidenti Barak Obama thotë se nëse frenohet kërcënimi që vjen nga armët bërthamore të Iranit, kjo do të pakësonte nevojën për instalimin e një mburoje antiraketë të planifikuar në Europën Lindore. Por zoti Obama mohoi njoftimet sipas të cilave ai i ka thënë Rusisë se do ta rishqyrtojë çështjen e mburojës antiraketë nëse Moska i bën presion Teheranit.

Presidenti tha se kishte shtruar çështje të interesit të përbashkët në një letër dërguar kohët e fundit Presidentit rus Dmitri Medvedev, duke përfshirë mbrojtjen nga raketat dhe ambicjet bërthamore të Iranit.

"Fjala është për një letër të gjatë ku flitet për një gamë të gjerë çështjesh, nga përhapja e armëve bërthamore e deri te mënyrat se si do t’i zgjidhim shqetësimet e përbashkëta të sigurisë."

Por zoti Obama mohoi njoftimet e mediave amerikane sipas të cilave ai i ka thënë udhëheqësit rus se do të rishqyrtojë çështjen e mbrojtjes antiraketë nëse Moska e bind Teheranin të ndalë përpjekjet për krijimin e armëve bërthamore dhe të raketave me rreze të gjatë veprimi.

Presidenti tha se në letër nuk kishte një ofertë të tillë.

"Ishte thjesht një pohim i faktit që kam paraqitur edhe më parë se programi i mbrojtjes nga raketat, kur të instalohet, do të synojë të përballojë jo kërcënimin rus por kërcënimin iranian."

Plani i Uashingtonit për të instaluar interceptorë raketash në Poloni dhe një radar në Republikën Çeke, e ka zemëruar Moskën.

Presidenti Medvedev ka thënë se pret propozime konkrete nga administrata Obama. Kjo çështje do të jetë në rend të ditës kur ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov të takohet me Sekretaren e Shtetit Hillari Klinton në Gjenevë të premten.

Duke folur në fillim të një takimi që pati dje në Shtëpinë e Bardhë me Kryeministrin britanik, Gordon Braun, Presidenti Obama u shpreh optimist se marrëdhëniet amerikano-ruse do të përmirësohen në administratën e tij.

"Shpresa ime është se ne mund të kemi marrëdhënie konstruktive dhe se duke u bazuar mbi respektin dhe interesat e përbashkëta mund të ecim përpara."

Në Pentagon, Sekretari i Mbrojtjes, Robert Gejts, foli mbi nevojën që Uashingtoni dhe Moska të bashkëpunojnë për çështjen e Iranit. Ai shtroi përsëri mundësinë që Rusia të bashkëpunojë përsa i përket programit të mbrojtjes nga raketat.

"Realiteti është se raketat që po testojnë iranianët mund të arrijnë një pjesë të mirë të Rusisë, të Europës Lindore dhe asaj Perëndimore. Këto raketa ende nuk mund të arrijnë Shtetet e Bashkuara. Kjo është pjesë e angazhimit tonë për një sistem të mbrojtjes nga raketat në Europë."

Zoti Gejts theksoi se politikat e administratës Obama për Europën, Rusinë dhe mbrojtjen nga raketat janë në rishikim e sipër.

Presidenti Obama ka thënë se e mbështet instalimin e një mburoje antiraketë vetëm nëse ajo do të jetë e efektëshme dhe e përballueshme financiarisht. //ii

XS
SM
MD
LG