Lidhje

Pres. Obama nis përpjekjet për të rindërtuar sistemin shëndetësor


Presidenti amerikan Barak Obama ka nisur përpjekjet për të rindërtuar sistemin shëndetësor në Shtetet e Bashkuara. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Paula Ulfson, njofton se zoti Obama thotë se çmimi i lartë i shërbimeve mjekësore po e dëmton ekonominë amerikane.

Presidenti thotë se reformat në shërbimet shëndetësore nuk janë vetëm një domosdoshmëri morale, por edhe një domosdoshmëri ekonomike.

“Në se ne dëshirojmë të krijojmë vende të reja pune, të rindërtojmë ekonominë dhe të kemi buxhetin tonë nën kontroll, atëherë ne duhet që këtë vit dhe gjatë kësaj administrate të rishikojmë çmimet e papërballueshme të shërbimeve shëndetësore.”

Ai tha se synimi i kësaj përpjekjeje do të jetë ulja e shpenzimeve dhe përmirësimi i cilësisë të shërbimeve shëndetësore për çdo person.

Ndryshimet që propozon Presidenti janë masive dhe do të përfshijnë një injektim të madh fondesh qeveritare. Por zoti Obama thotë se këto shpenzime janë investim për të ardhmen e kombit.

“Në se tani investohet në reforma, do të ulet së tepërmi kostoja e shërbimit shëndetësor dhe nuk do të rritet më deficiti buxhetor në të ardhmen. Kjo është mënyra më e mirë, në fakt ndoshta mënyra e vetme, për të ulur koston e shërbimit shëndetësor në të ardhmen.”

Zoti Obama nuk është presidenti i parë amerikan i cili bën përpjekje për të zgjidhur krizën e shërbimeve shëndetësore, që përfshin si mundësinë e pagesës, edhe atë të disponimit të këtyre sherbimeve.

Gjatë dekadave të fundit, shumë amerikanë janë mbështetur tek sigurimet shëndetësore nga punëdhënësit e tyre për të përballuar faturat mjekësore gjithmonë e më të larta. Por bizneset kanë filluar të shkurtojnë sigurimet shëndetësore, duke bërë që numri i njerëzve të pasiguruar të rritet. Në të njejtën kohë, shpenzimet qeveritare për programet që ofrojnë ndihmë shtesë për personat e moshuar dhe të varfër kanë shënuar rritje astronomike.
Përpjekjet e mëparshme për reformat në shërbimet shëndetësore kanë përfunduar në mosmarrëveshje. Por presidenti thotë se këtë radhë do të jetë ndryshe.

“Këtë radhë, nuk zhvillohet një debat në se të gjithë amerikanët duhet të gëzojnë shërbime shëndetësore cilësore dhe jo të kushtueshme. E vetmja pyetje është se “Si” ata do të mund t’i sigurojnë këto shërbime?”

Pikërisht për çështjen e shërbimit shëndetësor, Presidenti mblodhi në një takim në Shtëpin e Bardhë grupe që kanë interes të madhë në shërbimet shëndetësore dhe u bëri thirrje atyre të kërkojnë një zgjidhje.

Mes pjesëmarrësve kishte mjekë, konsumatorë, përfaqësues të sindikatës, bizneseve, agjencive të sigurimit dhe anëtarë të Kongresit amerikan.

Senatori Ted Kennedi, i cili po mjekohet për kancer, u kthye në Uashington për të marrë pjesë në takimin e Presidentit. Senatori demokrat nga shteti Massaçusets ka punuar për reformat në shërbimet shëndetësore për vite me radhë. Ai tha se asnjëherë më parë nuk ka patur rastin të shikojë një grup njerëzish me pikëpamje kaq të ndryshme, të mbledhur për të zgjidhur këtë problem.

“Ky takim është një sfidë për të gjithë pjesëmarrësit, që të punojmë së bashku për të bërë maksimumin për këtë çështje.”

Zyrtarë të Shtepisë së Bardhë thonë se takimi i djeshëm ishte vetëm fillimi i procesit të reformës në shëndetësi. Në ditët e ardhshme janë planifikuar takime të tjera të nivelit të lartë, duke përfshirë edhe seanca dëshmish në Kongres.//ap.

XS
SM
MD
LG