Lidhje

Një laborator fizike në Ilinoi në kërkim të mistereve të universit


Një laborator fizike i ngritur dekada më parë në shtetin Ilinoi, është përfshirë kohët e fundit në një garë historike për të zbërthyer misteret e universit. Laboratori Kombëtar Fermi u hap 40 vjet më parë për eksperimente fizike. Por kohët e fundit në këtë laborator është sjellë një pajisje moderne për zbërthimin e atomit. Shkencëtarët shpresojnë se ajo do të mundësojë një zbulim revolucionar në fizikën bërthamore.

Shkencëtarët në Laboratorin Fermi të Departamentit të Energjisë e quajnë zbulimin e pritshëm “Grimca e Higsit”. Laureati i Çmimit Nobel në Fizikë, Leon Lederman e quan “Grimca e Zotit.” Por askush nuk e di nëse kjo grimcë përbërëse e atomit ekziston realisht. “Grimca e Higsit”, që do të shpjegonte përse materja ka masë, mbetet ende një trillim teorik.

“Ekzistenca e saj nuk dihet me siguri absolute,” thotë Robert Roser, shkencëtar në Laboratorin Fermi në Illinoi, i përfshirë në projektin e grimcës së Higgsit.

“Përplasim protonet dhe antiprotonet me shpejtësi të lartë dhe përpiqemi të kuptojmë se çfarë ndodh si rezultat i përplasjes. Qëllimi është të kuptojmë si u krijua gjithësia dhe si funksionon ajo.”

Shkencëtarët shpresojnë se grimca atomike Higs do të jetë rezultantja e kësaj përplasjeje të përbërësve të atomit. Wade Fisher punon në një tjetër mjedis të laboratorit, të njohur si DZero.

“Me anë të këtyre eksperimenteve po vërtetojmë ose hedhim poshtë teoritë që kanë lindur për të shpjeguar ekzistencën tonë, pra përse ka veprime dhe kundërveprime mes materies dhe përse ekzistojnë këto objekte në këtë formë në universin tonë.”

Për dekada me radhë, shkencëtarë nga e gjithë bota kanë ardhur në Laboratorin Fermi dhe kanë bërë zbulime në fizikën bërthamore që kanë çuar në teorinë e Grimcës së Higsit. Por kjo epokë kërkimesh dhe ndoshta një zbulim i ardhshëm u vunë në rrezik kur u vendos që Akseleratori i Grimcave Atomike të mbyllej në vitin 2011.

Pjesa më e madhe e punës për të zbuluar grimcën Higgs do të vazhdohej në një laborator fizike në Gjenevë të Zvicrës. Shtetet e Bashkuara kanë dhuruar mbi 500 milionë dollarë për këtë projekt. Por laboratori zvicerian që do të merrej me këto kërkime është aktualisht i mbyllur, si rezultat i një aksidenti.

Tani që ka fituar pak kohë dhe duke qenë i vetmi mjedis eksperimental që realizon zbërthimin e atomit, laboratori Fermi është përsëri në përpjekje të ethshme për të zbuluar grimcën Higs:

“Koha që kemi në dispozicion për të rifilluar përplasjet e atomit për zbërthimin e tij është me rëndësi kritike që të sigurojmë avantazh. Është një garë reale dhe nuk i dihet kush arrin i pari në rezultatin e kërkuar.”

Shkencëtarët në këtë laborator janë optimistë se administrata e re amerikane do t’i japë laboratorit Fermi fondet dhe mbështetjen e nevojshme që i ka munguar prej vitesh. Ky laborator shpreson të përfitojë nga paketa stimuluese, megjithëse nuk dihet konkretisht shuma që do të veçohet për ta.

Shkencëtarë si Robert Roser shpresojnë se fondet do të mjaftojnë për ta çuar punën kërkimore deri në fund, në përpjekjet për të provuar se Grimca e Zotit ekziston realisht në Tokë.

“Do të donim të ishim të parët, por ky s’do të jetë fundi i këtyre përpjekjeve, do të jetë thjeshtë një arritje më shumë për ne, para se t’ia kalojmë stafetën Evropës për të vazhduar zbulimet në frontin energjetik.” //ek

XS
SM
MD
LG