Lidhje

Roli i grave në ushtrinë amerikane prej brezash


Më 8 Mars, Dita Ndërkombëtare e Gruas, kudo nëpër botë festohen arritjet e grave. Edhe ushtria amerikane po feston sukseset e grave amerikane në forcat e armatosura të vendit. Kësaj jave në Memorialin e Gruas në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit, u shfaq një dokumentar për rolin e grave amerikane në ushtri.

Roli i gruas në ushtri shpesh është lënë në harresë. Producentja Sjuzën Sherud kishte dëshirë t’i tregonte botës historinë e tyre.

"Gratë ushtarake janë shumë krenare për punën e tyre. Për to, shërbimi në ushtri është shumë i rëndësishëm".

Dokumentari i saj me titullin, "Gratë në Ushtri: Të afta, të nevojshme, të vullnetshme” flet mbi rolin e grave amerikane në ushtri që prej fillimit të shërbimit ushtarak për gratë e deri tek luftrat aktuale në Irak dhe Afganistan.

"Këto gra janë të jashtzakonshme. Janë kompetente, të afta, krenare për punën që bëjnë”.


Para shekullit të 20-të roli i grave në ushtri nuk ishte zyrtarizuar. Ato punonin si infermiere vullnetare, kuzhiniere dhe punonjëse lavanterie. Pak nga to, luftonin krah më krah me burrat. Gjatë Luftës së Dytë Botërore gratë në ushtri mbështetën operacionet e luftimit duke punuar si infermiere dhe në punë zyre.

Aktualisht rreth 200 mijë amerikane shërbejnë në shërbimin aktiv të ushtrisë. Ndonëse ato nuk lejohen të marrin pjesë në Trupat e Këmbësorisë, Trupat e Blinduara dhe Forcat Speciale, ato punojnë si police ushtarake shpesh duke ngarë automjetet ushtarake dhe duke ruajtur autokolonat ushtarake. Dokumentari rrëfen mbi gratë në uniformë në breza.

Gjeneral Majorja në pension Xhin Holm mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit. Ajo u fut në Trupën Ndihmuese të Grave në ushtrinë amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe ishte gruaja e parë që mori gradën e Gjeneral Majores.

"E pamë këtë si mundësi për t’i shërbyer vendit në kohë lufte. Të gjitha ne ishim shumë të motivuara për punën që bënim, çfarëdo qoftë ajo”.


Vernis Armër ishte afrikano amerikania e parë që u bë pilote avionësh luftarakë në vitin 2001. Siç thotë ajo, në kohën kur u fut në Trupën e Marinës Amerikane, gratë po luanin role gjithnjë e më të rëndësishëm në ushtri.

"Por siç thoshte gjyshja ime, ia vlen të luftosh për diçka që është e vështirë për t’u realizuar”.

Gjeneralja Vilma Vot është njëra prej grave më të dekoruara në ushtrinë amerikane. Ajo ndihmoi në krijimin e memorialit për gratë në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit.

"Gratë do të vazhdojnë të përparojnë. Do të kemi edhe gjenerale me katër yje në ushtri me kalimin e kohës. Gratë kanë ende gjëra të rëndësishme.

Gjeneralja Vot thotë se mezi po pret ditën kur Amerika do të zgjedhë Kryekomandanten e Forcave të Armatosura ose siç quhet ndryshe Presidenten e Shteteve të Bashkuara. //ek

XS
SM
MD
LG