Lidhje

SHBA: Ritet papunësia në shtetin e Ilinoit


Katerpillër është një prej prodhuesve më të mëdhenj të botës për pajisje të rënda e të mëdha dhe punëson rreth 125 mijë njerëz në gjithë botën. 15 mijë prej këtyre punonjësve jetojnë dhe punojnë afër zyrës qendrore të kësaj kompanie në Peoria të Ilinoit. Deri kohët e fundit, Peoria ishte prekur më pak nga recesioni se sa pjesa më e madhe e Shteteve të Bashkuara. Tani Katerpillër po ndjen pasojat e krizës ekonomike, duke lënë pa punë mijëra njerëz në pjesën qendrore të shtetit Ilinoi.

Bujqësia është një traditë familjare për Dan Armstrong. Ai ka punuar gjithnjë në bujqësi, duke kultivuar pak misër e fasule.

Ai jeton dhe punon në fermën, që dikur ishte pronë e prindërve të tij, në periferi të qytetit të vogël të Ilinoit, Metamora, paksa në veri të Peorias.

Para 6 vjetësh, partneri në fermë i zotit Armstrong, djali i tij 23 vjeçar Xho, humbi betejën me kancerin. Dan u përpoq ta mbante fermën, por të ardhurat nuk ishin të mjaftueshme për të jetuar.

Prandaj ai u detyrua të kërkonte punë në kompaninë Katerpillër, punëdhënësi më i madh në Ilinoin qëndror. Zoti Armstrong gjeti punë në sektorin e makinerive dhe bënte një jetë të mirë deri në fillim të këtij viti.

“Do të humbas punën, ndoshta që muajin e ardhshëm. Më erdhi njoftimi se vendi im i punës do të eliminohet”.

Armstrong është mes 22 mijë punonjësve nga e gjithë bota të kompanisë Katerpillër, që po humbasin punën në krizën e tanishme ekonomike.

Xhim Mekonei, zyrtar i lartë ekzekutiv në firmën Heartland Partnership, e cila nxit biznesin në Peoria dhe zonat përreth, shpjegon se kërkesa në botë për pajisje të rënda të prodhuara nga kompania Katerpillër nuk ekziston më.

“Katerpillër është prodhuesi më i madh i pajisjeve të rënda të minierave e kamjonëve dhe ka shërbyer si barometër si në kohë të vështira edhe në periudha begatie. Ne përjetuam për 7 vjet një zhvillim shumë të mirë dhe kriza e tanishme, të paktën po ta shikojmë në aspektin kombëtar, ka krijuar shumë probleme”.

Kriza ka shkaktuar aq shumë probleme, sa që Presidenti Barak Obama shkoi muajin e kaluar në degën e kompanisë Katerpillër në Peoria për të reklamuar planin e tij të stimulimit ekonomik.

Gjatë asaj vizite, Dan Armstrong ishte zëri i njerzve të papunë, madje ai u ftua të prezantonte presidentin Obama.

“Ne duhet të rikthehemi në punë këtu në Peoria dhe në gjithë vendin tonë. Dhe unë e di që udhëheqësit, të cilët qëndrojnë sot me ne, po bëjnë të gjitha përpjekjet për t’ja arritur kësaj”.

Pushimet nga puna do të prekin rreth 2 mijë e 500 veta në pjesën qëndrore të Ilinoit. 1 mijë e 500 prej këtyre vendeve të punës janë në linjat e prodhimit. Dhe humbja kohët e fundit e vendeve të punës do ta ngrejë përpiqndjen e papunësisë nga 6,3 në gati 7,3 për qind.
Megjithë numrin e madh të njerzve që kërkojnë punë, zoti Mekonei thotë se Peoria është ende në gjendje më të mirë se pjesë të tjera të vendit.

“Ne jemi në recesion dhe gjendja këtu është shumë e vështirë, megjithatë ka vende pune si kujdesi shëndetsor, shërbimet bankare dhe shërbime të konsumit të përditshëm. Dhe ne duhet të shfrytëzojmë të gjitha këto aspekte të ekonomisë sonë”.

Shumë vende pune të disponueshme kërkojnë më shumë trejnim dhe arsim, të cilat i mungojnë Dan Armstrongut.

Së pari, atij i duhet të gjejë një punë me orar të reduktuar që të plotësojë nevojat bazë të jetës. Pastaj ai duhet të bëhet gati për mbjelljet e stinës, ndërkohë që çmimet e artikujve të konsumit kanë rënë.

“Tani është vështirë të gjesh punë. Gruas time i duhet të punojë më shumë, thuajse me orar të plotë, në mënyrë që të ndihmojë më shumë në gjendjen e tanishme”.

Megjithë vështirësitë, Dan Armstrong ruan ndjenjën pozitive rreth gjendjes, duke mos harruar se ka familjen dhe shëndetin e mirë, madje ai përpiqet të kursejë sa më shumë në këto kohë të vështira ekonomike.

Ai shpreson se do të kthehet të punojë për kompaninë Katerpillër pas disa muajsh, e jo pas disa vitesh. (ze)

XS
SM
MD
LG