Lidhje

Presidenti Obama: Mes SHBA dhe BE nuk ka të çara mbi krizën


Presidenti Barak Obama nuk pranoi se ka mosmarrëveshje mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës mbi mënyrat se si duhet të luftohet kriza ekonomike globale.

Presidenti iu përgjigj sot pyetjeve të gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë në lidhje me debatin se Shtetet e Bashkuara kërkojnë më shumë stimuj ekonomikë, kurse Evropa preferon shtimin e rregullave ndaj tregjeve financiare.

Presidenti Obama e quajti këtë debat të kotë dhe tha se alternativat e ndryshme do të diskutohen gjatë samitit të udhëheqësve të G20-ës muajin e ardhshëm.

Ai po kështu siguroi Kinën se investimet e saj në bonot amerikane të thesarit janë të sigurta, një ditë pasi kryeministri kinez Uen Gjiabao ngriti shqetësime në lidhje me këtë çështje. Presidenti tha se çdo investues mund të ketë besim absolut tek gjendja e investimeve në Amerikë.

Kina është kreditori më i rëndësishëm i huaj i Amerikës dhe mban rreth 1 trilion borxhe të qeverisë amerikane. Uashingtoni shpreson që Kina të ndihmojë në zbatimin e stimulit ekonomik amerikan prej 787 miliardë dollarësh duke blerë më shumë bono të thesarit amerikan. //ek

XS
SM
MD
LG