Lidhje

Sharif: Protesta në Pakistan është prelud i një revolucioni


Kryetari i opozitës pakistaneze, Nauaz Sharif, thotë se një protestë masive që ai po drejton për në kryeqytetin Islamabad, është “prelud i një revolucioni”.

Zoti Sharif i bëri këto komente ndërsa përpiqej për t’u larguar nga shtëpia e tij në Lahore me një autokolonë drejt kryeqytetit Islamabad që ndodhet 260 km larg. Mijëra mbështetës e ndoqën atë.

Aktivistët kanë në plan të protestojnë jashtë godinës së parlamentit ditën e hënë për t’i ushtruar trysni qeverisë së vendit të kthejë në detyrë i anëtarëve të Gjykatës së Lartë të cilët ishin pushuar nga ish presidenti Pervez Musharraf.

Policia e Pakistanit vendosi barrikada në kufijtë e qytetit Lahore në përpjekje për të ndaluar që autokolona e zotit Sharif të largohej nga qyteti. Policia po kështu bllokoi rrugët hyrëse për në Islamabad me anë të kontenierëve të ngarkesave.

Po sot, mbështetësit e zotit Sharif mbushën rrugët e Lahores duke sfiduar vendimin qeveritar për të ndaluar protestat çka detyroi policinë të tërhiqej. Dhuna nisi kur disa protestues goditën policinë me gurë, ndërsa policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe shkopa gome.

Qeveria e Pakistanit ka urdhëruar mposhtjen e protestave në shkallë vendi dhe ka thënë se ky vendim nevojitet për të mbajtur siguri. Qeveria thotë se vendi i duhur për të diskutuar mbi rikthimin në detyrë të gjykatësve është parlamenti i vendit, dhe jo rruga. //ek

XS
SM
MD
LG