Lidhje

Rusia synon të dërgojë përfaqësues të përhershëm në OPEK


Rusia thotë se do të dërgojë një vëzhgues të përhershëm në Organizatën e Vendeve Eksportuese të Naftës, mes shqetësimeve në rritje të prodhuesve mbi rënien e çmimeve të naftës. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Stefan Bos njofton nga Budapesti se ndërkohë, ministrat e OPEK-ut kanë vendosur ta mbajnë nivelin e tanishëm të prodhimit.

Duke folur përmes një përkthyesi në takimin e OPEK-ut në Vienë, zëvendës kryeministri rus Igor Seçin u tha delegatëve se Moska dëshironte të kishte një vëzhgues të përhershëm në këtë organizatë për të përmirësuar bashkëpunimin.

“Ne e kemi diskutuar gjithashtu çështjen e një përfaqësuesi të përhershëm të federatës ruse në sekretariatin e OPEK-ut. Ne besojmë se përmes një nisme të tillë mund të vendosim një shkëmbim mendimesh mes palëve të interesuara. Mendojmë se kjo është shumë e rëndësishme në një periudhë krize globale.”

Për shkak të krizës globale financiare, çmimet e naftës kanë rënë prej niveleve rekord të larta afro 150 dollarë për fuçi vitin e kaluar në rreth 40 dollarë. Pas takimit, ministrat e naftës së OPEK-ut thanë se do të ruajnë nivelin e prodhimit të vendosur dhjetorin e kaluar. Ata thanë gjithashtu se do të ushtronin presion ndaj atyre vendeve që kishin prodhuar mbi nivelin e duhur.

Zoti Seçin tha se Rusia do të organizonte një konferencë ndërkombëtare në Moskë këtë vit për të diskutuar të ardhmen e furnizimeve me naftë. Megjithëse prania e zotit Seçin në takim shënoi një periudhë të re bashkëpunimi, analistët paralajmëruan se Rusia e vlerëson pavarësinë e saj dhe nuk ka të ngjarë të bëhet anëtare e plotë e OPEK-ut.

Pavarësisht nga rënia botërore e ekonomisë, analisti dhe tregëtari i njohur i naftës Stefen Shork është i bindur se çmimet do të rriten shumë deri në 2012-ën. Ai akuzoi presidentin amerikan Barak Obama se nuk po bën sa duhet për të ndihmuar në stabilizimin e çmimeve.

“Administrata e tanishme amerikane është haptazi kundër zhvillimit të naftës vendase dhe rezervave të gazit në Shtetet e Bashkuara. Prandaj, ne do të përballemi me të njëjtën situatë si në vitin 2003 kur dolëm nga recesioni i shkaktuar nga interneti, dhe pastaj kërkesa u rrit në të katër anët e botës. E njëjta gjë edhe tani. Kur të rikthehet kërkesa, çmimet do të ngrihen nga 40 dollarë në të paktën 150 dollarë apo ndoshta edhe 200 dollarë këtë herë.”

Presidenti Obama thotë se administrata e tij nuk është kundër industrisë së naftës, por se dëshiron të eksplorojë burimet e energjisë alternative si pjesë e planit për t’i bërë Shtetet e Bashkuara më pak të varura tek nafta e huaj.

Analisti Shork thotë se nuk pret që çmimet e naftës të ngrihen shumë këtë vit. Ai tha se rritja ekonomike në vende të tilla si Kina dhe India nuk ka të ngjarë t’i ndihmojë përpjekjet e OPEK-ut për të stabilizuar apo rritur çmimet.

OPEK-u ka po ashtu të njëjtin mendim, dhe paralajmëroi se kriza ekonomike globale do ta ulë konsumin e naftës me të paktën një përqind këtë vit. //bsa//

XS
SM
MD
LG