Lidhje

Papunësia dhe ndikimi i saj tek shëndeti mendor


Departamenti amerikan i punës njoftoi këto ditë se numri i personave që marrin ndihmë sociale për shkak të papunësisë ka arritur një nivel rekord. Ndërsa gjithnjë me më shumë ndërmarrje po pushojnë njerëz nga puna, ekspertët të sëmundjeve mendore po shprehin shqetësime rreth stresit që shkakton nga papunësia.

Pak muaj më parë, policët në Kaliforninë jugore gjetën trupat pa jetë dy bashkëshortërve, tre fëmijëve të tyre dhe të vjehrës. Një prej policëve lexoi letrën që burri kishte shkruar para se të vriste veten për shkak se kishte humbur vendin e punës dhe kursimet e tij.

“Ai merr përgjegjësinë për vrasjen e pjestarëve të familjes dhe vetes së tij si rezultat i vështirësive financiare”.

Shumë njerëz pushtohen nga ankthi ndërsa shqetësohen rreth humbjes së punës dhe investimeve të tyre. Psikologia Dori Lin viziton shumë pacientë që e shohin me frikë të ardhmen e tyre.

“Njerëzit shqetësohen, veçanërisht kur janë të lidhur shumë me punën ose identiteti i tyre është i lidhur me punën, ata pyesin veten të shqetësuar “Kush jam unë?”.

Është e vështirë të ruash qetësinë shpirtërore kur ke humbur punën. Xhon Rothenberg e ka provuar këtë. Vitin e kaluar ai u kthye në Uashington nga Afganistani, pas disa vjetësh si punonjës për ekipet ndihmave. Rothenberg thotë se u befasua se sa kohë po i merr për të gjetur punë.

“Çdo muaj që nuk punoj, më shumë pakësohen kursimet e mia. Kjo më shqetëson shumë.”

Rothenberg është bërë pjestar i organizatës 40 PLUS, që këshillon e ngushëllon ata që nuk gjejnë punë.

Drejtori i grupit, Xhoel Sarfati thotë se anëtarët e grupit i japin njëri-tjetrit mbështetje shpirtërore.

“Nuk është e pazakonshme që dikush vjen këtu sepse ndjehet i dëshpëruare dhe 5 veta që ndodhen në zyrë i ofrojnë atij mbështetje e emocionale.”

Psikologia Lin është dakord se një sistem i tillë përkrahjeje e për shkëmbim përvoje, mund të ndihmojë. Mënyra më e mirë, thotë ajo, është kryerja e ndonjë ushtrimi fizik, dhe mosndryshimi i rutinës ditore.

“Çdo gjë që e mban njeriun në lëvizje, ndihmon për t’u çliruar nga ankthi. Por marrëdhëniet me njëri-tjetrin janë kura më mirë.”

Këshilla e Rothenberg është të mos e mbash të fshehur gjendjen tënde. Tregoji të tjerëve se je duke kërkuar punë, sepse kurrë nuk i dihet se kush mund të ndihmojë. //bsa//

XS
SM
MD
LG