Lidhje

Misioni i ODIHR-it në Tiranë për përgatitjen e zgjedhjeve


ODIHR-i një zyrë e OSBE-së e specializuar për proceset elektorale, ka patur gjithnjë fjalën e fundit në vlerësimin e zgjedhjeve. Një mision i vlerësimit të nevojave, i cili do të shohë nga afër gjendjen e përgatitjeve për procesin zgjedhor ka nisur të martën takime të shumta në Tiranë me autoritetet, përfaqësuesit politikë shqiptarë, me përfaqësues të diplomacive perëndimore dhe të institucioneve të angazhuara për zgjedhjet e 28 qershorit.

Panorama që ka marrë nga aktorët politikë duket se ka qenë fort e ndryshme. Një opozitë e alarmuar për ecurinë e pajisjes së qytetarëve me letërnjoftime. Menjëherë pas takimit me delegacionin e ODIHR-it kryetari socialist Edi Rama foli për të dhëna që sipas tij janë dëshpëruese e po bëhn shkurajuese:

“Të gjitha afatet janë shkelur, të gjitha kushtet janë shkelur, i gjithë procesi zhvillohet në shkelje të vazhdueshme të të gjitha atyre pikave që do të mund ta garantonin atë. Sot praktikisht, jemi në prag të një situate dramatike, e cila rrezikon të kthehet në një situatë pa rrugëdalje. nëqoftëse ata qindra mijëra qytetarë e qytetare që nuk kanë pasaportë dhe nesër nuk do të kenë as kartën e identitetit, këto nuk mund të quhen më zgjedhje të lira e të ndershme që zhvillohen në Evrope.”

Për kryetarin socialist dita ditës po zgjerohen mundësitë e abuzimeve me procesin.

“Sot të gjitha të dhënt na tregojnë se mundësitë e qytetarëve po shkojnë duke u kufizuar, ndërsa mundësitë për abuzime, spekulime e manipulime me këtë proces po shkojnë duke u zgjeruar. Por ne nuk do të lejojmë që të ndodhë asgjë e tillë, sepse do të bëjmë të pamundurën, që në Shqipëri të ketë zgjedhje të lira e të ndershme”.

Një nga këto përpjekje duket se do të jetë edhe propozimi që socialistët pritet të zyrtarizojnë nesër. Një nismë me anë të së cilës kërkohet që të paktën për kategorinë e qytetarëve pa pasaportë letërnjoftimi të jetë falas. Nuk dihet se si do të pritet nga shumica një propozim i tillë.

Përfaqësuesit e saj deri tani kanë këmbëngulur se procesi po ecën normalisht. Në takimet e zyrtarëve shqiptarë me misionin e ODIHR-it është shprehur vendosmëria për realizimn e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se listat e zgjedhësve, një problem kronik në zgjedhjet e mëparshme, po hartohen pa ankesa. Ai ka kërkuar praninë në Shqipëri të një numri sa më të madh vëzhguesish duke deklaruar se kërkesa zyrtare drejtuar OSBE/Odihr-it do të paraqitet javën e ardhshme.

Ndërkaq, sot nis punën edhe komisioni i posacëm parlamentar i ngritur për të kontrolluar përgatitjet për zgjedhjet. Komisioni, i kërkuar nga socialistët, ka përgatitur plain e punës. Të premten do të kërkohen shpjegime lidhur me procesin e letërnjoftimeve nga përfaqësuesit e ministrisë së brendshme të thirrur për të raportuar. //bsa//

XS
SM
MD
LG