Lidhje

Shtepitë e së ardhmes më ekologjike dhe më të efektshme


Shtepitë e së ardhmes po shtohen me ritëm të ngadaltë por me synimin që të jenë sa më ekologjike dhe të efektshme. Që nga Azia deri në Evropë, inxhinierët dhe shkenctarët po mundohen të ndërthurin mënyra të ndryshme dhe efikase që nga ajri i kondicionuar deri tek materialet e ndërtimit që nuk sjellin ndotje. Kolegu ynë Kastriot Haxhiaj i hedh një vështim disa prej arritjeve në këtë fushë.

Teknologjia e re në ndërtim mes të tjerash nënkupton që shtëpitë e së ardhmes do të përdorin më pak energji dhe do kenë ndikim më të vogël ekologjik. Arkitektëve ju deshën vite provash dhe shumë koncepte shtëpish për të dalë më në fund me një kompleks banimi në shkallë të gjerë por në një stil tejet të veçantë.

E ndërtuar me materiale që nuk sjellin ndotje për mjedisin, ky projekt është ndër të parët në Angli. Panelet solare në kompleksin e shtëpive në Londër ushqejnë një gjenerator nafte të modifikuar që kthen ashklat e drurit në elektricitet.

Meqënëse copërat e drurit janë mbetje që sa vijnë e shtohen në zonën aty pranë, sistemi prodhon elektricitet dhe nxehtësi për ujin pa ndotur mjedisin me karbon. Tepricat e elektricitetit përdoren në sistemin lokal duke sjellë fitime. Kompleksi është tejet kursimtar përsa i përket energjisë. Sistemi i ngrohjes realizohet përmes diellit. Ndërtimi karakteristik është pjesë e sistemit të ngrohjes që nxeh ajrin e pastër.

Të gjitha apartamentet janë të ndriçuara dhe të ajrosura mirë dhe të një stili për ruajtjen e energjisë me afro 50 përqind krahasuar me banesat e zakonshme. Madje edhe mobiljet në këtë apartament janë bërë nga druri i ricikluar ndërsa sistemi i mbeturinave e thjeshtëzon riciklimin. Lagja ka një zonë të caktuar për karikimin e veturave elektrike, pavarësisht se ato tani janë të pakta. Aty gjendet edhe një klub automjetesh me naftë që mund të përdoren me porosi.

Kompleksi Beddington me Energji Zero është vetëm faza e parë në planin global. Tjetri është një kompleks më i madh në Portugali i bazuar në të njëjtat parime dhe egziston edhe një plan tjetër për Londrën lindore.

Ndërkohë Japonia po ndjek një stil tjetër për ruajtjen e energjisë. Sekreti japonez u pa në një ekspozitë në Aichi...ku ndërtesat ishin pushtuar nga gjelbërimi. Lulet dhe pemët në çatitë e banesave kanë efektin e një kondicioneri në mjedisin rrethues.

Ky eksperiment quhet Mushkëria Biologjike. Janë rreth 231 lloje lulesh dhe pemësh...secila me llojin e vet të dheut. Projektuesit thonë se ky sistem ul temperaturën e mjedisit përreth me afro 3 gradë. Sensorët e vënë në mure vëzhgojnë temperaturën dhe nivelet e dioksidit të karbonit. Lulëzimi i këtij kopështi magjik krijon një efekts spektakolar.

Në Francë një shoqatë për mjedisin e quajtur Living Planet, Planeti i Gjallë, po promovon disa lloje ndërtimesh alternative për ajrin e kondicionuar. Për shembull në shtëpi, zgjatja e strehës së çatisë mbi dritare mund të pengojë depërtimin e diellit ndërsa bimët rrëzë mureve mund të reduktojnë temperaturat e verës deri në 13 gradë.

Disa lloje blloqesh në formen e hojeve të bletëve të ndërtuara nga gazetat e vjetra përbëjnë një material tejet të mirë për të izoluar shtëpitë nga nxehtësia.Përdorimi i ventilatorëve për qarkullimin e ajrit si nga jashtë apo edhe nga kondicionerët është i rekomandueshëm. Ato mund të reduktojnë temperaturën deri në tre gradë celsius. Këto tubacione brenda mureve qarkullojnë ujë pa përdorur energji dhe ruajnë temperaturat e ulëta. //iç//

XS
SM
MD
LG