Lidhje

Irani mirëpret mesazhin e presidentit Obama për një "fillim të ri"


Një zyrtar i lartë iranian e përshëndeti thirrjen e Presidentit amerikan Barak Obama për një fillim të ri në marrëdhëniet ndërmjet Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, por tha se vetëm fjalët nuk mjaftojnë. Një ndihmës i Presidentit iranian Mahmud Ahmadinexhad tha se Shtetet e Bashkuara duhet të përpiqen të ndreqin dëmin e shkaktuar nga gabimet e së kaluarës dhe të bëjnë ndryshime rrënjësore në qëndrimin e tyre ndaj Teheranit.
Në një mesazh të regjistruar në videokasetë drejtuar popullit iranian me rastin e festës së Nevruzit, zoti Obama tha se mes dy vendeve ka dallime serioze, por shtoi se është i angazhuar që t’i trajtojë ato me rrugë diplomatike.Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Robert Wood tha se mesazhi i zotit Obama ishte njëri prej disa gjesteve të planifikuara nga administrata amerikane për të patur marrëdhënie më të mira me Iranin. Ai tha se SHBA presin një gjest të ngjashëm nga Irani. As Presidenti Ahmadinexhad dhe as Udhëheqësi Suprem i Iranit Ajatollahu i Madh Ali Khamenei, nuk e përmendën mesazhin e zotit Obama në përshëndetjet e tyre drejtuar popullit iranian me rastin e festës së Nevruzit.

Mesazhi televiziv i presidentit Obama drejtuar popullit iranian ku bëhej thirrje për marrëdhënie më të mira mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, ka ngjallur diskutime mes iranianëve të thjeshtë, duke u bërë temë kryesore në ditën e festimeve të Vitit të Ri iranian.

Kanali televiziv shtetëror transmetoi përshëndetjen tradicionale të vitit të ri nga presidenti Mahmoud Ahmadinexhad duke e quajtur atë ditën e rilindjes së dashurisë, miqësisë dhe aspiratave, por ishte mesazhi i presidentit Obama ai që tërhoqi vëmendjen e shumë njerëzve.

Këshilltari për shtyp i zotit Ahmadinexhad, Ali-Akbar Javanfekr theksoi se Irani mirëpret thirrjen e presidentit Obama për marrëdhënie më të mira, por u shtoi deklaratave të tij kritikat ndaj politikave të kaluara amerikane ndaj Iranit, si dhe thirrje për veprime konkrete nga zoti Obama.

"Zoti Obama ka folur për ndryshime por nuk ka marrë masa konkrete për të ndrequr gabimet e Amerikës në të kaluarën ndaj Iranit. Në se zoti Obama merr një veprim konkret dhe bën ndryshime themelore në politikën e jashtme amerikane ndaj vendeve të tjera, përfshi Iranin, qeveria dhe populli iranian nuk do t'i kthejnë shpinën. Zoti Obama iu referua dallimeve mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara. Ne besojmë se këto dallime e kanë burimin nga politikat armiqësore të Uashingtonit drejt Iranit. Ndryshimet e vogla nuk do t'u japin fund dallimeve. " - thotë këshilltari i zotit Ahmadinexhad

Iranianët e rinj, brezi që u rrit pas Revolucionit Islamik të vitit 1979, kanë jetuar gjithmonë në një atmosferë armiqësore karshi Shteteve të Bashkuara. Në fjalimet qeveritare, Amerika shpesh cilësohet si "Satani i Madh".

Nima Abasi, një biznesmen në Teheran, dukej i inkurajuar nga prespektiva e përmirësimit të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, duke thënë se ky do të jetë një zhvillim pozitiv.

Kjo është zgjidhja më e mirë, argumenton ai: në se dy njerëz duan të bisedojmë për diçka, në se nuk kanë njeri tjetër në mes dhe në se janë miqësore, atëherë do të ketë respekt nga të dyja palët. Kjo mund të jetë gjë shumë e mirë.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Javier Solana, duke folur në Bruksel, shprehu gjithashtu optimizëm rreth propozimit të presidentit Obama ndaj Iranit, ndërsa vazhdojnë mosmarrëveshjet mbi aktivitetet bërthamore të Teheranit.

"Jam shumë i kënaqur që dëgjova këtë mesazh. Mendoj se ishte një mesazh shumë konstruktiv. Shpresoj shumë se iranianët do të dëgjojnë me vëmendje atë që tha presidenti Obama. Shpresoj që kjo të hapë një kapitull të ri të marrëdhënieve me Teheranin." - tha zoti Solana

Thirrja e presidentit Obama për Iranin përfaqëson një hap më tej, krahasuar me komentet e bëra gjatë një konference shtypi në janar, kur ai u bëri thirrje Teheranit dhe armiqve të tjerë të Amerikës, të "heqin dorë nga politikat kufizuese në vendet e tyre". Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë një histori të gjatë tensionesh që janë përkeqësuar vitet e fundit nga dyshimet e perëndimit rreth programit bërthamor të Teheranit dhe mbështetjes së tij ndaj grupit militant islamik si Hezbollahu dhe Hamasi.

Por pavarësisht tensioneve, administrata e presidentit Obama ka shprehur vullnet të punojë me Iranin. Shtetet e Bashkuara ftuan kohët e fundit Teheranin të marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare për Afganistanin që do të mbahet më 31 mars. //mm//


XS
SM
MD
LG