Lidhje

Gorbaçov në Uashington: SHBA të tregohen të duruara me Rusinë


Mihail Gorbaçov, presidenti i fundit i ish Bashkimit Sovjetik, thotë se SHBA duhet të jenë të duruara me Rusinë, të cilën ai e përshkroi si një demokraci në zhvillim. Në një fjalim që preku një spektër të gjerë çështjesh, që e mbajti në një konferencë për biznesin në Bankën e Zhvillimit Inter-Amerikan, zoti Gorbaçov analizoi zhvillimet që çuan në shpërbërjen e ish Bashkimit Sovjetik dhe problemet me të cilat ndeshet Rusia sot.

Ish-Presidenti i ish-Bashkimit Sovjetik, Mihail Gorbaçov sheh në administratën e zotit Obama mundësinë për një fillim të ri në marrëdhëniet mes Rusisë dhe Amerikës.

Ai tha se shpreson që Amerika kërkon ndryshim.

Duke folur në Forumin e Këshillit të Biznesit për Kontinentin Amerikan në Washington, zoti Gorbaçov herë-herë reflektoi për të shkuarën, mbrojti rolin e Rusisë sot në botë dhe shprehu shpresa se marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Rusisë mund të përmirësohen nën administratën e zotit Obama.

Presidenti i epokës sovjetike tha se BS u shemb, pjesërisht, për shkak të çmimit të ulët të naftës në vitet 1980, ndërsa Kryeministri rus Vladimir Putin pati fatin që erdhi në pushtet në një kohë kur çmimet e naftës po ngriheshin.

Ndërsa ai tha se do të kishte dashur që BS të ishte ruajtur dhe planeve të tij për zhvillimin dhe demokracinë në vitet 1980 t’u ishte lënë më tepër kohë për të patur sukses, më tej shtoi se, në fund të fundit, ajo që duhej të ndodhte, ndodhi.

Zoti Gorbaçov mbrojti idenë e një politike të jashtme ruse, agresive. Ai tha se Rusia është ende një demokraci në zhvillim dhe se ekzistojnë lidhje të forta historike dhe etnike mes rusëve, ukrainasve dhe gjeorgjianëve.

Ai i bëri thirrje SHBA-së të tregohet më e durueshme me Rusinë dhe të mos përpiqet ta provokojë, duke i ofruar anëtarësim në NATO ish shteteve sovjetike, Ukrainës dhe Gjeorgjisë.

Zoti Gorbaçov tha se SHBA, është në një masë të konsiderueshme, përgjegjëse për krizën globale financiare. Ai tha se Rusia u godit rëndë, sepse nuk diti t’i shfrytëzojë fitimet nga energjia për modernizimin dhe diversifikimin e industrive të vendit.

Por ai tha se deri tani ka një përshtypje të mirë për Presidentin Barak Obama dhe se duke bashkëpunuar për çështje, si çarmatimi bërthamor, stabilizimi i furnizimit të botës me energji dhe parandalimi i terrorizimit, SHBA dhe Rusia mund ta bëjnë botën një vend më të sigurtë.//lk





XS
SM
MD
LG