Lidhje

Kosovë: Konferencë mbi luftën kundër krimit të organizuar në Ballkan


Përfaqësues të policive të dhjetë vendeve të Evropës Juglindore, po debatojnë në Prishtinë nevojën e bashkëpunimit të shteteve në rajon për luftimin e krimit të organizuar, terrorizmit dhe dukurive tjera negative të cilat tejkalojnë kufijtë shtetëror. Në debatet që po zhvillohen në kuadër të konferencës ndërkombëtare për bashkëpunimin policor, u është bërë thirrje për bashkëpunim edhe Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha sot se vendet e Evropës Juglindore nuk mund ta rrezikojnë të ardhmen e tyre euro-atlantike për shkak të shkallës së krimit të organizuar. Ai i bëri këto komente në konferencën e bashkëpunimit rajonal të policisë në Prishtinë, e para e këtij lloji në Kosovë të cilën e ka mbështetur edhe Ambasada Amerikane. Kryeministri Thaçi tha se vendet e rajonit përballen me sfida që cenojnë qeverisjen demokratike, përparimin dhe sigurinë, duke nënvizuar rreziqet nga terrorizmi, krimi i organizuar, trafikimi dhe kontrabanda. Ballkani tha ai është shndërruar në një rrugë kalimtare për krimin e organizuar, që dëmton shtetet nëpër të cilat kalon, por edhe sigurinë e vendeve tjera perëndimore.

Është koha e duhur që nëpërmes bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtare, t’i japim përgjigje adekuate të gjithë atyre qe janë të involvuar në krim të organizuar. Shtetet tona, nuk mund ta rrezikojnë të ardhmen e tyre euro-atlantike për shkak të nivelit të krimit të organizuar”, tha kryeministri Thaci.

Jeffrey Thomas, këshilltar i lartë i ambasadores amerikane në Prishtinë Tina Kaidanow tha se qeveria amerikane mbetet e përkushtuar për të mbështetur sundimin e ligjit gjithandej Evropës Juglindore nëpërmjet ndihmës teknike, lehtësimit të dialogut dhe mbështetjes me mjete pune.

Në Kosovë veçanërisht ne kemi investuar miliona dollarë në forma të ndryshme të forcimit të sundimit të ligjit, dhe përpjekjeve për të përmirësuar veprimet e policisë, njësive kufitare dhe agjencive të tjera me rëndësi. Kjo ndihmë do të vazhdojë dhe të zgjerohet me kohë”, tha zoti Thomas.

Pjesëmarrësit e konferencës thanë se bashkëpunimi ndërmjet shteteve është i domosdoshëm për luftën kundër dukurive që dëmtojnë sigurinë e rajonit.

Kryeministri Thaçi tha se Kosova është e hapur për bashkëpunim duke u bërë thirrje për mbështetje edhe policive të Serbisë dhe Bosnjës, që nuk kanë pranuar të marrin pjesë në konferencën që po mbahet në Prishtinë.

Lufta kundër kontrabandës, kundër korrupsionit, kundër dukurive negative, kundër ekonomisë jo formale, kundër terrorizimit është pjesë edhe e vendeve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë, edhe e Bosnjës edhe Serbisë, janë në proces të vetëdijesimit për njohjen e Kosovës shtet. Prandaj në kuadër të kësaj edhe pse ende nuk ka ndodhur njohja reciproke Qeveria e Kosovës ka vullnet të bashkëpunojë në këtë drejtim...”, tha kryeministri Thaçi.

Beogradi vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovë dhe të mos njohë institucionet e saj. Këto të fundit ndërkaq u ndaluan sot hyrjen në Kosovë dy zyrtarëve të Serbisë, të cilët provuan pa paralajmërim të vizitojnë një zonë të banuar edhe me pjesëtarë të komunitetit serb në Kosovë.//iç//

XS
SM
MD
LG