Lidhje

Diskutim për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së


Në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të hënën, Ministri i Jashtëm i Kosovës Skënder Hyseni tha se arritjet e Kosovës janë të jashtëzakonshme dhe se njohja e vendit të tij si shtet i pavarur dhe sovran ka vazhduar. Zoti Hyseni, fajësoi politikat e Serbisë në Kosovë për tensionet në vendin e tij. Ndërsa presidenti serb Boris Tadiç vuri në dukje mungesën e qëndrueshmërisë në Kosovë dhe përsëriti qëndrimin e Beogradi se vendi i tij nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës. Më parë, Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Lamberto Zanieri, paraqiti raportin më të fundit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Mun lidhur me gjendjen në Kosovë.

Në seancën e sotme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila zhvillohet një ditë para 10 vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, përfaqësuesi i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm, Ban Ki Mun në Kosovë, Lamberto Zanier tha se rikonfigurimi i UNMIK-ut ka filluar të ecë me hapat e duhur dhe situata në vend është e qëndrueshme.

Ministri i Jashtëm i Kosovës Skënder Hyseni tha se Kosova vazhdon përparimin e saj të qendrueshëm. Situata ka vazhduar të jetë e qetë dhe paqësore edhe gjatë festimeve të përvjetorit të parë të pavarësisë.

“Arritjet e Kosovës janë të jashtëzakonshme. Njohja e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran ka vazhduar. Që nga fjalimi im i fundit në Këshillin e Sigurimit, edhe katër vende të tjera e kanë njohur pavarësinë e vendit tim që atëherë.”

Kosova ka pasur zhvillime në disa fusha, duke përfshirë rikonfigurimin e UNMIK-ut dhe shtrirjen e EULEX-it në të gjithë Kosovën sipas planit Ahtisari, kushtetutës së Kosovës etj. Institucionet e Kosovës kanë vazhduar përpjekjet për përmirësimin e kushteve të pakicave, sidomos të serbëve, dhe integrimin e tyre. Beogradi zyrtar ka luajtur një rol destabilizues në të gjithë Kosovën e sidomos në Mitrovicën veriore.

Zoti Hyseni i bëri thirrje Serbisë të bashkëpunojë me vendet e rajonit dhe të normalizojë marrëdhëniet me Republikën e Kosovës. Zoti Hyseni shprehu gatishmërinë e insitucioneve të Kosovës për bisedime të interesit të përbashkët si dy shtete sovrane.

Presidenti serb Boris Tadic tha se nuk ishte dakort me mendimet optimiste të paraqitura në raport. Ai theksoi se 10 vitet e fundit tregojnë se Kosova nuk është shtet i vërtetë, ku serbët nuk kanë gëzuar të drejtat bazë.

“Edhe sot serbët nuk gëzojnë sigurinë, lirinë e lëvizjes apo qetësinë e rendin. Nuk respektohen normat bazë të civilizimit.”

Drejtësia duhet të respektohet dhe të gjithë të jenë të barabartë para ligjit. Ndërkohë duhet të respektojmë vendimin e pritur të Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe të mos paragjykojmë përfundimin e tij. Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën dhe do të vazhdojë mbrojtjen paqësore të integritetit territorial. Megjithatë, Serbia do të mbetet partnere e fortë e komunitetit ndërkombëtar, tha ai.

Serbia, tha zoti Tadiç, është e përkushtuar të respektojë gjashtë pikat e planit të zotit Ban Ki Mun sepse zbatimi i tyre është i rëndësishëm dhe jo ai i planit Ahtisari i cili nuk është miratuar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së.

Duke folur për qeverinë amerikane, përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit, Rozmari DiKarlo tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin idenë që roli i UNMIK-ut të pakësohet më tej.

“Me rritjen e institucioneve qeverisëse të Kosovës, prania e UNMIK-ut është ulur ndjeshëm dhe Bashkimi Evropian po luan rolin e këshilltarit kryesor ndërkombëtar të Kosovës. Shtetet e Bashkuara përshëndesin përpjekjet për ta pakësuar më tej rolin e UNMIK-ut.”

Kosova tha zonja DiKarlo ka arritur përparim të madh që nga koha e shpalljes së pavarësisë dhe kushtetuta e saj, tha diplomatja amerikane është ndër më të mirat për të garantuar të drejtat e pakicave.

Zyrtarja amerikane tha se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. Kosova shtoi ajo, është njohur nga 56 vende anëtare të OKB-së. Që Kosova të ketë sukses si vend demokratik, tha zonja DiCarlo ajo ka anevojë për bashkëpunimin e komunitetit serb.

Ambasadori i Rusisë në Këshillin e Sigurimit, Vitali Çurkin kërkoi rihapjen e bisedimeve midis Prishtinës dhe Beogradit dhe kërkoi që misioni i OKB-së në Kosovë të ruajë edhe funksionet administrative dhe të riorganizohet në bazë të rezolutës 12-44. Duke kritikuar gjendjen në Kosovë që pas fillimit të misionit të Eulexit, ambasadori Çurkin tha se gjendja është keqësuar dhe aty po lulëzon krimi dhe mungesa e ligjit.

“Ishte skandaloz vendimi i gjykatës së apelit të EULEX-it për të liruar terroristin shqiptar që hodhi në erë një autobuz në vitin 2001, i cili ishte dënuar nga gjykata e UNMIK-ut në 2008 me 40 vjet burgim. ”

Gjendja në Kosovë që pas shpalljes së pavarësisë është keqësuar, tha ambasadori rus. Po ashtu shtoi ai synimi për të forcuar shoqërinë shumë-etnike në Kosovë pothuajse është harruar. Kjo ka çuar në pakësimin e numrit të refugjatëve të kthyer. Arsyeja kryesore tha ai është mungesa e kushteve bazë të sigurisë. //bsa//

XS
SM
MD
LG